Connect with us

Aktuale

Politika dhe bllokimi i institucioneve po e fut Trepçën në krizë

Published

on

Për afër një vit që nga miratimi i Ligjit për Trepçën, autoritetet në Kosovë nuk kanë arritur të bëjnë as edhe një hap para, për siç është synuar, rimëkëmbjen dhe zhvillimin e kombinatit Trepça.

Kombinati Trepça, llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Por, në vitet e fundit kaloi në fazën e mbijetesës dhe nga mbi 20 mijë punëtorë sa kishe në të kaluarën, Trepça numëron aktualisht rreth 1,400 punëtorë.

I gjithë procesi që do të duhej të kalonte kombinati Trepça pas miratimit të Ligjit në tetor të vitit të kaluar dhe t’i hapej rruga e zhvillimit, ka mbetur peng i problemeve politike.

Aktualisht, siç thonë përfaqësues të Trepçës, gjithçka që ndërlidhet me Trepçën ka mbetur e ngrirë deri në formimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se kombinati Trepça po përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit e të cilët po sjellin jo pak probleme.

Për fat të keq Ligji nuk është bërë funksional dhe funksionalizimi është vështirësuar tej mase, pasi që aktualisht as nuk jemi si një ndërmarrje shoqërore në Agjencinë Kosovare të Privatizimit e as në Qeveri dhe kjo po sjell telashe. Institucionet shtetërore duhet t’i kryejnë obligimet edhe pse faktet po falsin të kundërtën”.

Çështja e funksionalizimit të Ligjit është dashur të përfundojë qysh moti, por ne po bëjmë përpjekje maksimale që këtë periudhë të tranzicionit ta tejkalojnë pa telashe serioze”, thekson Tmava.

Çdo vonesë që po bëhet në çështjen e Trepçës, shton Tmava është e dhimbshme, pasi që zhvillimi i Trepçës kishte mundësuar hapje të vendeve të reja të punës, rritje të prodhimi dhe të shihet interesi në shfrytëzimin e resursit.

Në anën tjetër, Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës, gjendjen në këtë ndërmarrje e paraqet mjaft shqetësuese.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se ndërmarrja po shkon drejt falimentimit.

Kemi ngecur kemi rënie të prodhimit. Nëse e krahasojmë me vitin paraprak, në gjashtë mujorin e parë kemi 6 mijë tonë më pak të prodhimit të xehes. Trepça nuk është duke u menaxhuar si duhet. Ka vakum institucional, janë duke u neglizhuar punët, nuk ka prodhim të mirë. Punëtorët kanë pritur që po formohen institucionet e reja të Kosovës, nëse kjo gjendje vazhdon, Trepça shkon drejt falimentimit”, thotë Sadiku.

Ndërkohë, Sadiku shton se edhe kushtet në të cilët po punojnë punëtorët e Trepçës janë nën nivelin e duhur.

Kushtet për punëtorët janë të rënda, ata po përballen me probleme të ndryshme, probleme të veçanta janë kushtet e ambientit, mikroklimës”, thekson Sadiku.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se kriza politike afekton ndërmarrjen Trepça dhe pamundëson zbatimin e dispozitave të Ligjit mbi Trepçën.

Është e nevojshme që Kosova të ketë institucione funksionale qeveritare që mund të marrin vendime dhe të shtyjnë përpara ristrukturimin e ndërmarrjes Trepça. Pavarësisht rolit që Qeveria duhet të ketë për Trepçën, ajo çfarë OEAK ka potencuar është e rëndësishme përfshirjen e kapitalit privat në ndërmarrjen Trepça, pasi që kjo në një masë do të reduktonte rolin që vetë shteti ka në drejtimin dhe menaxhimin në një ndërmarrje të tillë strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë Zeka.

Në kohën kur ishte miratuar Ligji për Trepçën, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ishin shprehur të gatshëm që të përfundohet sa më shpejt çdo procedurë e nevojshme që të fillohet me zbatimin e këtij Ligji.

Ata ishin shprehur optimistë se me miratimin e Ligjit për Trepçën, kësaj kompanie do t’i kthehet nami që ka pasur në të kaluarën.

Trepça, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.

Aktuale

Komuna e Prizrenit organizon aksionin pranveror të mbledhjes së mbeturinave të vëllimshme

Published

on

Sektori i Mjedisit dhe Menaxhimit të mbeturinave ju njofton se nga data 1 – 7 Maj organizohet aksioni pranveror i mbledhjes së mbeturinave të vëllimshme.

Ky aksion është falas dhe është një mundësi që të kontribuoni në mbrojtjen e mjedisit të përbashkët, ndaj luteni t’i respektoni datat.

Gjatë kësaj kohe, luteni që t’i vendosni mbeturinat para shtëpisë suaj, për të siguruar shkarkimin e tyre të rregullt.

Banorët e ndërtesave të banimit kolektiv duhet t’i vendosin mbeturinat para pikës më të afërt të mbeturinave.

Këto aktivitete janë një mundësi për ta sensibilizuar komunitetin për rregullat e shkarkimit të mbeturinave dhe për të ndihmuar në ruajtjen e mjedisit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Prokuroria Speciale e fton në intervistim zv. ministrin e Infrastrukturës Hysen Durmishin

Published

on

Në korrik të 2023, në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

10 muaj më vonë, Prokuroria e Speciale e Republikës së Kosovës e ka ftuar zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin për ta intervistuar në lidhje me këtë çështje.

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur ka ankesë aktive nga një operator ekonomik që ka marrë pjesë në tender, aktiviteti i prokurimit pezullohet dhe autoriteti kontraktues nuk ka të drejtë të procedojë me nënshkrim të kontratave.

Continue Reading

Aktuale

AVONET: Prokurori i rastit të dërgohet në procedurë disiplinore

Published

on

Bordi drejtues i Rrjetit të organizatave jo-qeveritare AVONET dënon me vendosmëri kërcënimin dhe tentim sulmin ndaj Drejtorit Ekzekutiv të Organizatës sonë, z. Kenan Gashi.

Ky rast është raportuar menjëherë tek organet kompetente, megjithatë, ende nuk është ndërmarrë veprim nga Prokuroria Themelore e Ferizajt për të zgjidhur situatën.

Kërcënimi ndaj z. Gashit vjen nga një person i përfshirë në një proces gjyqësor në mes të AVONET dhe Komunës së Ferizajt dhe një kompanie. Është e rëndësishme të theksohet se ky kërcënim është pasojë e përpjekjeve të shoqërisë civile për të përfaqësuar dhe për të ndihmuar komunitetin, një mision që organizata jonë përpiqet të përmbushë me përkushtim çdo ditë.

Kërcënime të tilla ndaj aktivistëve të shoqërisë civile nuk mund të tolerohen dhe tregojnë mungesën e respektimit për të drejtat themelore dhe lirinë e shprehjes në shoqërinë tonë, të garantuara në nivel kushtetues.

Këto mosveprime të prokurorisë janë duke krijuar një precedent tejet të rrezikshëm për shoqërinë civile. Në vend që prokuroria të përcjell një mesazh të fuqishëm ndaj të gjithë atyre individëve që tentojnë të pengojnë dhe rrezikojnë punën e shoqërisë civile, publiku informohet se rasti po trajtohet në procedurë të rregullt. Në këtë mënyrë prokuroria ju mundëson këtyre personave “imunitet penal”.

𝐏𝐞̈𝐫 𝐤𝐞̈𝐭𝐨 𝐚𝐫𝐬𝐲𝐞, 𝐁𝐨𝐫𝐝𝐢 𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭𝐮𝐞𝐬 𝐢 𝐀𝐕𝐎𝐍𝐄𝐓, 𝐩𝐞̈𝐫𝐦𝐞𝐬 𝐤𝐞̈𝐬𝐚𝐣 𝐤𝐨𝐦𝐮𝐧𝐢𝐤𝐚𝐭𝐞, 𝐧𝐣𝐨𝐟𝐭𝐨𝐧 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐮𝐧 𝐬𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐬𝐡𝐤𝐚𝐪𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐢𝐠𝐮𝐫𝐢𝐬𝐞̈ 𝐣𝐮𝐫𝐢𝐝𝐢𝐤𝐞, 𝐤𝐚 𝐮𝐫𝐝𝐡𝐞̈𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐞𝐤𝐳𝐞𝐤𝐮𝐭𝐢𝐯𝐢𝐧 𝐞 𝐨𝐫𝐠𝐚𝐧𝐢𝐳𝐚𝐭𝐞̈𝐬 𝐩𝐞̈𝐫 𝐭𝐞̈ 𝐞 𝐝𝐞̈𝐫𝐠𝐮𝐚𝐫 𝐩𝐫𝐨𝐤𝐮𝐫𝐨𝐫𝐢𝐧 𝐞 𝐫𝐚𝐬𝐭𝐢𝐭 𝐳.𝐁𝐞𝐬𝐧𝐢𝐤 𝐍𝐮𝐫𝐞𝐝𝐢𝐧𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐩𝐫𝐨𝐜𝐞𝐝𝐮𝐫𝐞̈ 𝐝𝐢𝐬𝐢𝐩𝐥𝐢𝐧𝐨𝐫𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐝𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐢𝐦 𝐭𝐞̈ 𝐦𝐚𝐫𝐫𝐣𝐞𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐯𝐞𝐩𝐫𝐢𝐦𝐞𝐯𝐞 𝐩𝐫𝐨𝐤𝐮𝐫𝐨𝐫𝐢𝐚𝐥𝐞.

Bordi drejtues i AVONET dhe organizatat e shoqërisë civile, të përkushtuar për të përfaqësuar interesat e komunitetit dhe për të luftuar për drejtësi, bëjnë thirrje për një hetim të plotë dhe të drejtë në lidhje me këtë rast dhe kërkon solidaritetin e organizatave jo-qeveritare të tjera të cilat ndajnë të njëjtat vlera që janë të përkushtuara për të mbrojtur të drejtat e njeriut./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending