Aktuale
Asfaltimi i rrugës që lidh 18 fshatra në duart e Ministrisë së Financave

Një muaj më parë, banorët e 18 fshatrave të zonës së Artakollit dolën në rrugë. Ata për 15 minuta protestuan për të kërkuar që të bëhet asfaltimi i rrugës brenda këtij viti.
Por një gjë e tillë vështirë se po mund të bëhet sivjet, pasi që ende nuk janë siguruar mjetet financiare nga Ministria e Infrastrukturës. E që kjo e fundit ka bërë kërkesë në Ministrinë e Financave por që ende nuk ka marrë një vendim nga ana e tyre.
Shkruan: Shkëndije Ahmeti
Fatos Mani, Këshilltari i Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj për Ndërtimi.info ka treguar se duhen gjysmë milion euro për të bërë ri-asfaltimin dhe se nuk mund të bëjnë asgjë derisa Ministria e Financave nuk i lëshon mjetet financiare.
“Kemi bërë kërkesën në Ministri të Financave. Ata janë duke e shqyrtuar mundësinë financiare për me bë sivjet. Çka ka ndodhë ende zyrtarisht këtë javë nuk jemi njoftuar. Ka qenë kërkesë ekstra që me u bë asfaltimi këtë vit dhe jo vitin e ardhshëm. Kështu që normalisht duhet një vendim tjetër që na e mundëson që me na i siguru ato mjete dhe ne me bo kërkesën te kompania që me bë punën. Derisa ne nuk kemi mjete të siguruara për me bë shtresën e re të asfaltit ne nuk mundemi me bë asgjë”, tha Mani.
Ai ka treguar se sipas kontratës, shtresa e parë e asfaltit bëhet vitin e ardhshëm, meqë këtë viti është bërë gërmimi dhe rregullimi i shtratit të rrugës.
“Faktikisht në bazë të kontratës, shtresa e parë e asfaltit qitet vitin e ardhshëm sepse këtë vit është bërë gërmimi, janë rregulluar shtrati i rrugës edhe është qit shtresa e gurit, të zallit të tamponit. Për vitin e ardhshëm është paraparë shtresa e asfaltit. Po foli në bazë të kontratës së nënshkruar mes kompanisë dhe Ministrisë. Kërkesa e tyre ka qenë që mos me lënë ashtu por me qit një shtresë të asfaltit, për me ndodhë kjo ne është dashtë me bo një kërkesë që tejkalon parashikimet buxhetore. Do me thënë me paraparë qato shpenzime të shtresës së parë të asfaltit që parashihen vitin e ardhshëm me u qitë këtë vit”, tregoi ai për Ndërtimi.info
Megjithëkëtë, Mani thotë se ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj do të takohet me ministrin e Financave Bedri Hamza për të biseduar edhe njëherë për këtë çështje.
“Ndikojnë edhe kushtet klimatike. Nëse nuk ndodhë asgjë në nëntor atëherë do të jetë e vështirë sepse në dhjetor nuk mund të punohet. Jemi në fund të limiteve dhe besoj që ministri ka me u taku edhe njëherë me ministrin Hamza edhe njëherë për këtë punë dhe me u pa mundësia se a po munden me gjetë mjete financiare” sqaron Mani.
Ndërkohë që Ndërtimi.info ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Financave për ndarjen e mjeteve financiare për këtë rrugë. Por që në këtë ministrinë kanë qenë të shkurtër në deklaratë.
“Kërkesat nga Ministria e Infrastrukturës për investime infrastrukturore rrugore janë të paraqitura në buxhetin e ndarë për këtë ministri dhe ju lutëm që për më shumë të kontaktoni Ministrinë e Infrastrukturës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës”, thuhet në përgjigjen elektronike të kësaj ministrie.
Asfaltimi i kësaj rruge po mbetët në duart e Ministrisë së Financave.
E në rast se kjo ministri nuk siguron financat që të bëhet shtrimi i asfaltit, atëherë, mbetët që në vitin e ardhshëm të përfundojë projekti.
Në pritje të vendimit të Ministrisë së Financave është edhe i pari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri.
Tahiri për Ndërtimi.info ka treguar se është takuar me Ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj me të cilin kanë biseduar edhe për projekte tjera por që fokusi ka qenë te rruga e zonës së Artakollit duke insistuar që asfaltimi i rrugës të bëhet këtë vit.
“Jemi takuar me Ministrinë e Infrastrukturës Pal Lekaj. Ndër të tjera kemi biseduar për projektet e tjera të rëndësishme të Komunës së Vushtrrisë. Sigurisht që ky është njëri prej projekteve më të rëndësishme për ne që financohet nga Ministria e Infrastrukturës. Sipas qëndrimit zyrtar të ministrisë, raporti dhe projekti është 2 vjeçar dhe duhet të përfundojë në vitin e ardhshëm. Megjithatë, Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar nga Ministria e Financave që të vendosen mjetet për asfaltimin e të paktës së shtresës së parë gjatë këtij viti. Por ende nuk ka një vendim nga Ministria e Financave. Gjithsesi për vitin e ardhshëm është siguruar buxheti për të përfunduar projekti ashtu siç parashihet dhe janë vendosur mjetet që punimet të vazhdojnë menjëherë në pranverën e vitit të ardhshëm, kështu ka qenë shpjegimi nga Ministria e Infrastrukturës. Ne sigurisht po insistojmë që të kryhet këtë vit por planifikimet buxhetore”, tha Tahiri.
Për gjithë këtë situatë, Tahiri thotë të ketë biseduar edhe me banorët atje.
“Ne kemi biseduar me banorët atje, kemi njoftuar se ku është situata. Nuk dua që të hedhi faj, dhe të hedh përgjegjësinë dikujt tjetër. Nuk është në natyrën time të hedh faj tek të tjerët. Ky është shpjegimi zyrtar nga Ministria e Infrastrukturës”, përfundoi Tahiri.
Ndërkaq, në buxhetin e vitit të ardhshëm për përfundimin e këtij projekti janë vendosur 1 milion euro.
