Aktuale
317 objekte preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe, banorët protestojnë
Banorët e zonës së “Astirit”, banesat e të cilëve preket nga projekti i Unazës së Madhe e kanë zhvendosur këtë të hënë protestën e tyre përpara bashkisë së Tiranës.
Janë 317 objekte që do të preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe, dhe 163 prej tyre që janë në proces legalizimi do të skualifikohen nga ALUIZNI.
Banorët kundërshtojnë prishjen e banesave pa ua legalizuar më parë, në mënyrë që të kenë të drejtën e dëmshpërblimit.
Gjatë protestës e cila po vazhdon ende, banorët brohrasin “Duam shtëpitë tona”, ndërkohë që në mbajnë në duar pankarta me mesazhe si “shtëpitë do i mbrojmë me trupat tanë”, “dy duar për një kokë”, “duam pronat tona”, “kryeministër ku je fshehur?”, “lali Eri ku je fshehur?”, ndërsa në një banderolë të madhe kanë shkruar “fuqia e njerëzve më e madhe se njerëzit në fuqi”.
Ata kërkojnë takim me Veliaj për gjetjen e një zgjidhje.
Protestuesi: Erion Veliaj të vijë këtu si burrë, të gjithë këta njerëz nuk i shtyp dot.Kam qenë i PS-së, por jo të më marrësh nusen e djalit të më lindë aty në burg. Ku janë këto Monika, Gramozë?Çfarë bëhet kështu? Ky po na prish shtëpitë dhe po na shkatërron. Turp!
Pas protestës para bashkisë ata bllokuan rrugën “Abdi Toptani”.
Ata para kamerave kanë thënë se aty jetojnë tash e 30 vite duke shtuar se nuk janë kundër projektit por që duan të drejtën e tyre. Njëri nga banorët ka theksuar se nuk kanë ku të shkojnë.



