Connect with us

Aktuale

Vlerësohet si shkolla e parë shqipe në Kosovë, por është harruar nga institucionet

Published

on

Kur flasim për fillet e arsimit shqip, na kujtohet mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë që u hap në vitin 1887. Por, studiues vendorë e të huaj flasin për një shkollë shqipe më të hershme, që daton qysh prej shekullit XVI në Kosovë.

Bëhet fjalë për Kolegjin e Shën Llukës, që u themelua në vitin 1584 në fshatin Stubëll të Vitisë.

Studiuesi Sarë Gjergji, thotë se ky kolegj u themelua si nismë e Vatikanit, i cili në vitin 1896, u bart në një objekt tjetër, që sot shërben si famulli dhe njëherësh si muze i shkollës dhe njihet si shkolla e Dom Mikelit.

“Shkolla e Korçës nuk është shkolla e parë shqipe në Shqipëri dhe dita e mësuesit nuk është 7 marsi. Do të duhej së paku, meqenëse jemi shtet, do të duhej ta ndryshonim këtë çështje. Ne kemi data brenda këtyre kopertinave, brenda këtij libri për datat, për mësimin për gjithçka që është mbajtur. Duke qenë se jemi shtet në veti, do të ishte mirë dhe do të ishte e ndershme, dhe do t’i bënte nder gjithë arsimit shqiptar, pra jo vetëm në Kosovë, që Ministria e Arsimit të ndërmarrë hapa dhe ta fusë në kurrikulat shkollore edhe historikun e shkollës së parë shqipe në Kosovë”, ka thënë Gjergji.

Studiuesi Gjergji thotë se në vitin 1584, kur kanonikë e jezuitë të Vatikanit vizituan disa vende të Shqipërisë dhe Kosovës, kishin sjellë me vete 500 kopje të një materiali shqip. Aktualisht, shkolla nuk e ka ndonjë kopje të këtij materiali, por sipas studiuesit Sarë Gjergji, duhet të jetë ndonjë kopje në arkivat e Vatikanit.

Ndërkaq, libri më i vjetër që ruhet në këtë shkollë, është një libër filozofik i autorit Heinrich Cornelius Agrippa, i botuar në vitin 1638, kurse libri më i vjetër në gjuhën shqipe që ka ky muze ka është “Doktrina e Krishterë”, botim i vitit 1877.

Ani pse aktualisht nuk ka ndonjë kopje të materialit të lartpërmendur në gjuhën shqipe të vitit 1584, rikujtojmë se në vitin 1555 veç se ishte zbuluar “Meshari” i Gjon Buzukut, që konsiderohet si libri më i vjetër në gjuhën shqipe.

“Dokumenti thotë ‘libër në gjuhën shqipe në 500 kopje’, kështu e cilëson, tregon për shpenzimet e botimeve dhe transportit që kanë bartë me vete librin. Komulloviqi dhe Tommaso Raggio kanë qenë të shoqëruar edhe nga tre shqiptarë, njëri nga ata është Armando Duka. Dy të tjerë, njëri është student që studion në Romë, Itali, dhe tjetri është një njeri i biznesit që ka përfunduar studimet te ata dhe që e mbështetë këtë student financiarisht”, ka thënë Gjergji.

Në vitin 1905, kjo shkollë filloi të udhëhiqej nga mësuesi Dom Mikel Tarabulluzi, busti i të cilit gjendet në oborrin e shkollës. E në vitin 1906, numri i nxënësve në këtë shkollë kishte arritur në 42, prej tyre 25 djem dhe 17 vajza.

Këtë e dëshmon letra e mësuesit Dom Mikel, drejtuar konsull gjeneralit të Austro-Hungarisë në po të njëjtin vit.

Pavarësisht se ishte themeluar nga klerikë fetarë, atë kohë mësoheshin edhe lëndë shoqërore e shkencore, këtë e dëshmojnë edhe një pjesë e librave që ruhen në muze.

Përveç “Doktrinës së Krishterë”, në shkollën e parë të Stubllës mësohej lexim, matematikë, histori, gjeografi e lëndë të tjera të ngjashme sikur sot.

Këtë e dëshmojnë edhe librat “Numeratore”, “Këndime për shkollat e para të Shqipërisë”, “Këndimet e çunave” por edhe abetarja shqipe e vitit 1886, e botuar në Bukuresht.

Ndërkaq, në vitin 2010, ish-ministri i Kulturës, Lutfi Haziri e kishte shpallur muze këtë shkollë dhe kishte zbuluar pllakatin e muzeut. Por, inevestimi që kishte bërë Ministria e Kulturës, sipas Gjergjit ka qenë i gabuar, ngase nuk e kishte ruajtur si duhet arkitekturën e shkollës.

“Ka pasur një ndërhyrje të shtetit. Përkundër qëllimit të mirë, ndërhyrja ka qenë e gabuar pra ajo që është bërë, dhe ne si komunitet kemi qenë të detyruar që ta kthejmë së paku në këtë gjendje që e kemi sot dhe natyrisht kemi marrë të gjitha masat bashkë me famullinë e Stubllës, kishën pra, që kjo gjendje të përmirësohet edhe më shumë”, ka thënë Gjergji.

Por sot, ky muze nuk gëzon mbështetje të duhur institucionale, ani pse është në Listën e aseteve të Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme.

Aty nuk ka ndonjë staf të rregullt, nuk ka ciceronë për informimin e vizitorëve, e librat dhe materialet e vjetra që janë shumë të ndjeshme, ruhen në rafte të zakonshme.

Për këtë muze kujdeset vullnetarisht famullia e Stubllës si dhe Sarë Gjergji.

“Në mungesë të një stafi që do të duhej të ishte këtu, ne jemi të detyruar të funksionojmë në këtë formë, të vijmë dhe t’iu japim informacion njerëzve që janë të interesuar për ta vizituar muzeun dhe ju them sinqerisht që ky muze vizitohet shumë, shumë, shumë nga njerëz të sferave të ndryshme dhe nga kontinente të ndryshme”, ka thënë Gjergji.

Historia dhe dokumentet për ekzistimin e kësaj shkolle janë përmbledhur edhe në librin “Stublla me shkollën e parë shqipe” të vet Gjergjit.

Autori i librit, që kujdeset edhe për muzeun, ka njoftuar që tashmë kanë në plan krijimin e një arkivi digjital, në të cilën do t’i ruajnë dokumentet dhe do t’i bëjnë më të qasshme për vizitorët dhe studiuesit.

E për këto, ai ka thënë se po punojnë në mënyrë vullnetare por edhe me ndihmë nga diaspora.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending