Featured
Kulla e heroit shqiptar Sylejman Vokshit, me arkitekturë moderniste për kohën [foto]
Qyteti i Gjakovës me 85 fshatrat e saj karakterizohet me pasuri të madhe të monumenteve të të gjitha kategorive ku përfshihen: komplekse, shtëpi tradicionale, kulla, xhami, kisha, teqe, medrese, kroje, mulli etj.
E njëra ndër to është edhe kulla e heroit i cili ishte njëri ndër themeluesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshit.
Kulla gjendet në vendin e quajtur Mejtepi Ruzhdije në hyrjen e Çarshisë së Vjetër në Gjakovë.
Objekti është ndërtuar në fillim të shek. XVIII dhe ka rëndësi të madhe historike pasi aty u lind heroi kombëtar Sylejman Vokshi. Edhe pse e ndërtuar herët në kohë kulla është punuar me mjaftë stil dhe kreativitet.
Ky objekt ka vlera arkitektonike, është ndërtuar me tulla të pjekura, gurë natyralë, dru, llaç gëlqereje, kurse mbulesa është me qeramidhe tradicionale. Objekti është në dy etazhe, e drejtuar në perëndim-jug, me dritare katërkëndëshe. Bodrumi gjendet mbi tokë dhe ka shërbyer për ruajtjen e ushqimit.
Mirëpo, kulla ka pësuar disa transformime të vogla, sidomos në enterierin e brendshëm dhe në dyer e dritare. Ndër to vlenë të përmendet ndërrimi i dritareve dhe zgjerimi i tyre për të pasur dritë më shumë ngase dritaret e mëparshme ishin shumë më të vogla, arsye për këtë ishte mbrojtja nga sulmet e armiqëve.
Edhe pse si qyteti më i shkatërruar nga lufta e viteve 1998-’99 Gjakova ka arritur që në masë të madhe të ruaj –konservojë dhe restaurojë pasurinë e vet kulturore, edhe pse mbetet shumë për t’u bërë.
/Ndertimi.info/