Aktuale
Miratohet Projektligji për Produktet e Ndërtimit
Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për Produktet e Ndërtimit.
Miratimin e këtij projektligji sipas Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Endrit Shala është një hap drejt harmonizimit të ligjeve me ato të Bashkimit Evropian.
Tutje ai ka thënë se përmes këtij projektligji do të vendosen rregulla dhe shënjimi i produkteve të ndërtimit do të bëhen me CE, ashtu siç janë edhe në vendet e BE-së.
“Për shkak të sigurisë ndaj qytetarëve, para se të vendosen në treg, produktet e ndërtimit duhet t’i plotësojnë kërkesat siç janë: rezistenca mekanike, qëndrueshmëria, siguria në rast zjarri, higjiena, shëndeti dhe mjedisi, siguri në përdorim, mbrojtja nga zhurma, efiçienca e energjisë dhe ruajtja e nxehtësisë si dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i burimeve njerëzore”, ka shkruar Shaka në profilin e tij Facebook.
Shala ka shtuar se prioritet i tij gjatë mandatit në krye të MTI-së është krijimi i një baze të përshtatshme me legjislacionin e BE-së duke siguruar që produktet ndërtimore të jenë me standarde dhe të sigurta.
“Prioriteti im gjatë mandatit në krye të MTI-së, është krijim i një baze të përshtatshme me legjislacionin e BE-së duke siguruar që produktet ndërtimore të jenë me standarde dhe të sigurta, duke pasur në rend të parë kujdesin ndaj konsumatorëve. Falënderojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që votuan pro këtij projektligji”, ka shkruar Shala.



