Aktuale
Haradinaj tregon se a do të tërhiqen nga projekti për ndërtimin e termocentralit të ri

Edhe përkundër tërheqjes së Bankës Botërore, Qeveria e Kosovë do të vazhdoj me procedurat për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. I cili proces sipas Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj nuk është ndërprerë asnjëherë.
Haradinaj në një intervistë në transmetuesin publik, është shprehur optimist se procesi për projektin e termocentralit të ri është në proces të mirë.
“Unë jam optimist se është në proces të mirë ky projekt. Unë e di që ka interesim për financim. Është krejtësisht investim amerikane. Me siguri ata do të bëjnë partneritet me palët tjera. Investimi është në proces, nuk është ndalë. Shumë etapa të punës kanë ndodhë realisht”, ka potencuar Haradinaj.
Haradinaj i është përgjigjur edhe deklaratave rreth asaj se me tërheqjen e investimit të Bankës Botërore do të dështoj edhe se Kosova ta ketë një termocentral të ri.
Ndërkohë që ka theksuar se Banka Botërore e ka mbajt peng Kosovën tash e 15 vite.
“Do janë gëzu do se kanë mendu që ka dështu. Por jo nuk është ashtu. Është duke ndodhë, është në proces. Investimet në energji janë duke ndodhë në termocentralin ri. As nuk ka ndërprerje, as nuk ka tërheqje. Ka pas me bë një pjesë të financimit, dhe me i bë do garanca Banka Botërore e që unë e kam dit që ka me u tërheq, se qashtu na kanë trajtu që 15 vjet. Banka Botërore na ka mbajt peng që 15 vjet…masi janë hjek ata amerikanët nuk janë dorëzu po don me përkrah, dhe ka mekanizma tjerë që po dojnë me përkrah investimin. Pra investimi është në proces të vetin të natyrshëm”, theksoi Haradinaj.
Ai mendon se institucionet e mëdha monetare ndikohen edhe prej tregjeve dhe mekanizmave tjerë.
Megjithëkëtë, Kosova do të vazhdojë të ketë reduktime të rrymës. E krejt kjo sipas të parit të Qeverisë është shkak i teknologjisë tejet të vjetruar.
“Ka reduktime ka pak se teknologjia është shumë e vjetër fatkeqësisht. A dhe B janë shumë të vjetra. Me hy në hak atyne punëtorëve të KEK-ut janë të rrezikuar me jetë në ato stabilimente. Është teknologjia më e vjetër në Evropë funksionare sot që hala përdoret”, përfundoi Haradinaj.
Mirëpo, në rast të dështimit apo të tërheqjes nga marrëveshja me kompaninë ContourGlobal”, Qeveria e Kosovës obligohet që të paguajë gjobë prej 19.5 milionë euro.
Kjo pagesë do të ishte një penalizim ndaj Kosovës në rast se nuk e respekton marrëveshjen tashmë të nënshkruar me kompaninë amerikane.
Rikujtojmë se, Joseph Brandt, themelues dhe menaxher i kompanisë “ContourGlobal”, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se “Banka Botërore është e parëndësishme për ta përmbyllur projektin ‘Kosova e Re’ në mënyrë të suksesshme, një projekt ky, që sipas tij, është kyç për të ardhmen e furnizimit me energji dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”.
“Roli i Bankës Botërore kurrë nuk ka qenë që të sigurojë financimin e projektit dhe deklaratat për këtë projekt nuk kanë asnjë ndikim në këtë projekt. Ne, së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi të vendosur për ta vazhduar me projektin”, thuhet në përgjigjen e “ContourGlobal”.
Po ashtu, Brandt, në emër të kompanisë, ka thënë se është i sigurt se do të sigurohen fondet e nevojshme në kohën e duhur, në mënyrë që ndërtimi të nisë në fillim të vitit 2019.
Ndryshe, në fund të vitit të kaluar (2017), Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”. Termocentrali i ri do të prodhojë 450 MGW energji në orë, të cilën Qeverisë së Kosovës mund t’ia shesë deri në 80 euro për 20 vjetët e parë të punës.
