Aktuale
Rrugët e qytetit të Gjilanit në terr si pasojë e mungesës së kontratës për mirëmbajtjen e ndriçimit

Shumë rrugë në qytetin e Gjilanit kanë mbetur pa ndriçim ngase qeverisja komunale nuk ka lidhur kontratë me ndonjë operator që do të merrej me sanimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik në tërë territorin e kësaj komune.
Pamjet në disa nga rrugët e qytetit të cilat në mungesë të ndriçimit shtojnë rrezikun për shoferët e automjeteve dhe për këmbësorët mund t’i shikoni në videon më poshtë.
Naser Korça, drejtor i Shërbimeve Publike ka pranuar se ka vështirësi në funksionimin e ndriçimit publik mirëpo sipas tij gjendja e krijuar është pasojë e ankesave që kanë bërë operatorët ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me pretendimin se janë bërë shkelje në procedurat e tenderimit, raporton Koha Ditore.
Ai ka thënë se nga muaji janar ka pritur që të ketë një kontratë për mirëmbajtjen e ndriçimit publik.
“Ndriçimi publik ende nuk kemi kontratë tash është rishpall përsëri operatori ekonomik dhe ka një ankesë nga një operator në OSHP-ë dhe presim seancën e OSHP-së që të vendos për propozimin që ne kemi dhënë ose të kthejë lëndën në rishqyrtim. Ndriçimi në tërë qytetin është në gjendje të keqe por nuk është si pasojë e drejtorisë së shërbimeve publike por është mungesë e kontratës për të cilën kam iniciuar në janar të këtij viti dhe që nga janari nuk kemi kontratë dhe dihet se departamenti i prokurimit lidh kontratat”. ka thënë ai.
Kurse këshilltarja komunale nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu ka shprehur shqetësimin e saj me mungesën e ndriçimit për të cilin ka pasur edhe ankesa edhe nga banorët.
“Banorët e lagjes”Skifter Arifi” domethënë lagja mbrapa Kombinatit të Duhanit kanë ankesë për mungesë të ndriçimit publik në lagje dhe pos që është pengesë për banorët është edhe pengesë për nxënësit e shkollës”Abaz Ajeti” të cilët pas përfundimit të mësimit detyrohen të ecin në terr. Ndërsa pikërisht ajo lagje ka një frekuentim goxha të madh të qenve endacak sidomos gjatë kohë së stinës së dimrit”, ka thënë ajo.
