Aktuale
Vihet gurthemeli i shkollës profesionale në Komoran

Është venë gurthemeli për ndërtimin e shkollës profesionale në Komoran, projekt ky i cili financohet nga Ministria e Administratës Publike.
Ne këtë ceremoni të nisjes për ndërtimin e kësaj shkolle reprezentative, merrnin pjesë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, zëvendësministra, drejtor të drejtorive komunale dhe qytetarë të Komoranit me rrethinë.
Para të pranishmëve, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se ndjehet shumë i lumtur qe bashkë me qytetarët e Drenasit dhe ministrat po vendosin gurthemelin për ndërtimin e kësaj shkolle me moderne në rajon. Lladrovci ka kumtuar edhe lajmin për emërtimin e kësaj shkolle të Gjeneralit Bedri Shala.
“Kjo shkollë do të mbaj emrin e gjeneralit të madh, komandantit Bedri Shala ku edhe jemi marr vesh me të gjitha grupet parlamentare në Drenas. Ndërtimi i kësaj shkolle do t’i plotëson nevojat jo vetëm të qytetarëve të Drenasit por edhe me gjerë. Falënderoj ministrin Yagcilar për përkushtimin që në Komunën tonë, të vijnë investime sidomos në infrastrukturën shkollore. Faleminderit ministër Bytyqi për fjalët e mira dhe për premtimet që po jepni që në këtë shkollë dhe shkollat tjera të sjellni kabinete, faleminderit ish-ministër i Arsimit, Arsim Bajrami qe për këto tre vite keni sjellur investime rreth 5 milion euro në Drenas”, ka thënë kryetari Lladrovci.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka thënë se fillimi i ndërtimit të kësaj shkolle profesionale në Komoran është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm për qytetarët e Drenasit por edhe të rajonit.
“Në vazhdën e shumë projekteve të tjera, fillimi i punimeve të shkollës profesionale në Komoran, i paraprin zhvillimit të projekteve të ngritjes së profesionalizmit edhe të fushave specifike në arsim. Ky projekt do të jetë modern, jo vetëm në pjesën arkitekturore, por edhe në anën profesionale e cila do të mundësoj mësimdhënësve kushte të mira dhe nxënësve të marrin aftësi të fushës profesionale të cilët do të dalin konkurrent në tregun e punës jo vetëm në vend, por edhe ne rajon. Gjatë këtyre tre viteve, Qeveria e Kosovës, ne bashkërendim me MAP, Komunën e Drenasit dhe MASHT-in kanë investuar mbi 5 milion euro. Jo larg nga ky vend, ka filluar ndërtimi i shkollës fillore në Fushticë e Epërme, shumë shpejt do të përfundoj shkolla në fshatin Llapushnik, kemi rinovuar komplet shkollën fillore në Komoran dhe kemi ndërtuar sallën e edukatës fizike, kemi rinovuar dhe ndërtuar sallën e edukatës fizike në Kizhnarekë, si dhe kemi ndërtuar poligonet sportive dhe renovimin e dy shkollave fillore, në Korroticë të Lartë dhe në Gllobar”, ka thënë ministri Yagcilar.
Ndërsa ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se fillimi i ndërtimit të kësaj shkolle është në bashkëpunim me MAP, MASHT-in dhe Komunën e Drenasit e cila ka siguruar vendin. “Jemi ne një moment të rëndësishëm, sepse ne si ministri kemi venë prioritet vetës për ndërtimin e shkollave profesionale, sepse e ardhmja e fëmijëve tanë, janë përmes edukimit të shkollimit në shkolla profesionale . Kjo shkollë do të ketë bashkëpunim të ngushtë me bizneset për të marr informatat e nevojshme për t’u përgatitur për tregun e punës. Ne si ministri jemi në fazën e ndërtimit të një strategjie për këtë shkollë profesionale dhe për të gjetur tregun e punës”, ka thënë ministri Bytyqi.
