Aktuale
Në Prizren hapet ekspozita “Përnjëherë e Mjegullt dhe e Pashmangshme: Modernitetet 1945—1989”

Sot në Prizren do të ekspozita “Përnjëherë e Mjegullt dhe e Pashmangshme: Modernitetet 1945—1989”.
Ekspozita “Përnjëherë e Mjegullt dhe e Pashmangshme: Modernitetet 1945—1989”, që hapet në ora 16:00, ka një qasje ndërdisiplinare: duke realizuar intervista të historisë gojore; mbledhur dhe arkivuar burime vizuele dhe eksploruar strategji të ekspozimit të historisë shoqërore, kulturore dhe ekonomike të Prizrenit. Duke lokalizuar proceset e modernizimit dhe hapur trashëgiminë socialiste për lexime nga perspektiva të shumta, ekspozita eksploron kulturën dhe punën nga këndvështrimi i punëtorëve, duke i ruajtur kompleksitetet historike dhe shamngur reprezentime të thjeshtësuara të së kaluarës socialiste.
“Gjysma e dytë e shekullit XX në Kosovë ka qenë një periudhë e ndryshimeve radikale kulturore, e shënuar më shumë fillime të reja; identitare dhe të tjera. Qytete moderne janë krijuar, nxitur nga arkitektura moderniste, urbanizimi masiv dhe monumentet e Luftës së Dytë Botërore. Kjo periudhë e transformimit të shpejtë po ashtu ka sjellur zhvillim intelektual, kulturor dhe industrial, e njohur si ‘koha e artë’. Kjo periudhë nuk ka zgjatur shumë, por ende qëndron në themel të kujtesës institucionale të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prizren Urban Memoryscapes.
Ekspozita bazohet në hulumtimin e realizuar përgjatë Prizren Urban Memoryscapes, projekt tetë-mujor i formësuar si platformë edukative që pajisi dhjetë pjesëmarrës me metoda të hulumtimit të trashëgimisë kulturore dhe ekonomike. Pjesëmarrësit punuan me burimet e mbledhura në mënyre interaktive, për të krijuar një arkiv digjital, një ekspozitë, një publikim, dhe mbi të gjitha, për të krijuar dije rreth komuniteteve të tyre. Gjatë gjithë kohës, ata u njoftuan me një periudhë që ka luajtur rol kritik në formimin e identitetit kulturor dhe urban të Prizrenit.
Sipas kumtesës, projekti është ideuar përmes partneritetit mes Fondacionit Lumbardhi dhe Iniciativës për Histori Gojore, në bashkëpunim me Ambasadat Franceze dhe Gjermane. I nisur me një thirrje të hapur për pjesëmarrës në mars 2018, Prizren Urban Memoryscapes është përbërë nga punëtori mbi metodologjinë e historisë gojore, arkivim digjital dhe kurim të historisë bashkëkohore. Pas asaj, gjetjet e hulumtimit janë kontekstualizuar në një seri të punëtorive dhe takimeve, ku edhe ekspozita e morri formën e vet përfundimtare.
