Aktuale
Haradinaj: Kompania në Prizren që premtoi 2000 punësime në Gjermani, nën hetime

Pasditen e së martës, mijëra qytetarë ia mësynë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, për të lidhur një kontratë pune në aeroportin e Hamburgut të Gjermanisë. E këtë po pretendon t’ua bëjë të mundur një kompani nga Prizreni, e cila ka hapur konkurs për 2 mijë vende pune në shtetin gjerman. Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se është duke u hetuar kjo kompani.
Ai tha se organet po merren me këtë çështje, por është ende herët të thuhet diçka. Ai nuk ka mohuar se me këtë po merret edhe Agjencia Kosova e Inteligjencës.
Shefi i ekzekutivit po ashtu ka thënë se nuk ka rrezik dhe se çdo lajm për migrim është i rrejshëm. Ai edhe njëherë ka thënë se deri në fund të vitit Kosova do të marrë një lajm të mirë për lëvizjen e lirë.
Krejt kjo ka ardhur pas një lajmërimi të një kompanie gjermane, e cila ditë më parë ka njoftuar për mundësi punësimi në aeroportin e Hamburgut. Ndërsa kompania nga Prizreni ka hapur konkurs për t’ua mundësuar kosovarëve të punësohen në këtë aeroport.
Ndërkaq, konkursit të kompanisë “B.S.B Aviation” i janë përgjigjur mijëra qytetarë, të cilët të pakënaqur nga niveli i lartë i papunësisë në Kosovë, po tentojnë të largohen nga vendi, për të gjetur kështu një vend pune jashtë vendlindjes.
Nga hulumtimi i deritanishëm i EkonomiaSot, del se premtimi për 2,000 vende pune është mashtrim, ndërsa “kompania gjermane” që ka prezantuar sot në Shtëpinë e Kulturës në Prizren është kompani fiktive, e cila nuk ekziston fare.
Me sa duket, qëllimi këtu është që qytetarëve fatkeq dhe të dëshpëruar për një vend pune në Gjermani, t’u mirren nga 1,800 euro (aq sa u tha se do të kushtojë aplikimi) dhe pastaj kompania që ka organizuar këtë ngjarje të zhduket nga faqja e dheut. Duke i lënë kështu “aplikantët” pa një adresë se ku mund të ankohen.
https://ndertimi.info/kompania-qe-dje-ofroi-2000-vende-pune-ne-gjermani-nuk-ekziston-fare/?fbclid=IwAR21fFHX2PVsLlqB2mk8Dg9hHQRnMflC8vW9NMYCtI_M8ce7FCrJ_ycuV4Y
