Featured
Komuna e Prishtinës u tregon qytetarëve për investimet kapitale të 2018-s [video]
Shkëndije Ahmeti
Qytetarët e Prishtinës janë pritur në dëgjim publik nga nënkryetari Muhedin Nushi, ku kanë propozuar projekte kapitale për vitin 2018-të. Me të nisur debati publik, Nushi së pari ka njoftuar qytetarët rreth buxhetit që është paraparë për investime kapitale që kap shumën rreth 25 milionë euro.
Kjo kosto është ndarë nga buxheti i 2018-ës, që kap shumën 71 milionë e 222 mijë euro, shkruan Ndërtimi.info.
“Buxheti për vitin 2018-të është i paraparë me shumë 71 milionë e 222 mijë euro nga të cilat investime kapitale janë të ndara 24 milionë e 954 mijë e 207 euro, do me thënë diku afër 25 milionë janë të ndara për investime kapitale. Prandaj, në kuadër të këtyre ju kisha lut që të jeni sa më konkret dhe të bëni propozime konkrete. Është dita juaj, ku ju do t’i propozoni”, tregoi Nushi.
Ndërtimi i një rrethi në Bardhosh, konkretisht në hyrje të Bernicës së poshtme ishte kërkesa që iu adresua Komunës së Prishtinës, nga përfaqësuesi i fshatit Bardhosh, Naim Bajrami.
Bajrami madje tha se kjo rrugë është bërë tejet e rrezikshme për kalimtarët por edhe për vozitësit, duke shkaktuar edhe vdekje të shumta.
“E kemi një rreth rrotullim i cili problemi më i madh i Bardhoshit është aty poshtë te ai studioni në anën e djathtë Beli. Unë nuk e di se si ka me ardh projekti i rrugës nga Podujeva. Nëse di dikush me më tregu dhe kish me qenë mirë që me hy në projekt për vitin e ardhshëm. Ose të bëhet një rreth aty, ose hyrja në Bernicën e poshtme, ka ndeshje me fatalitet…kishe me qenë mirë që aty të bëhet një hyrje nga ana e djathtë qoftë nënkalim, me hy në Bernicën e Poshtme dhe atëherë është dalja më e lehtë. Dhe aty është problem jashtëzakonisht i madh, se ka njerëz që po na vdesin. Kish me qenë mirë me pas parasysh atë vend shumë të rrezikshëm për kalimtarët qoftë, në këmbë ose me makina”, tha Bajrami.
E për këtë projekt, zyrtarë të ndërtimit thanë se përgjegjëse është Ministria e Infrastrukturës, por megjithatë Bajramit iu premtua që komuna do kërkoj nga Ministria të bëjë një zgjidhje për këtë.
Kërkesë tjetër ishte edhe ndërtimi i një parku në Qendër të Prishtinës, tek rruga “Sylejman Vokshi”.
Qytetari, Ali Tahiri tregoi se një pjesë në këtë rrugë është e pashfrytëzuar e që ndërtimi i një parku do iu bënte nderë të moshuarve dhe fëmijëve.
“Sylejman Vokshi, në atë rrugë ka mbet në hapësirë e pashfrytëzuar, ku më shumë ka kerre, por ka edhe vend për të bërë një park. Ka edhe shumë të moshuar edhe fëmijë që munden me shfrytëzu dhe e mira është që veturat nuk kalojnë. Është mbrapa ish Terranovës, është një tunel i vogël dhe del menjëherë në Shesh. Është hapësirë që ka mbet shkretë, në qendër të Qytetit”, tha Tahiri.
Ndërtimin e një parku në këtë pjesë, Tahiri mori premtimin e nënkryetarit Muhedin Nushi.
“Për këtë unë të premtoj tash që ka me u rregullu… të jesh i bindur që do rregullohet se për parqe jemi shumë të interesuar dhe për hapësira publike”, premtoi Nushi.
Gjithashtu kërkesë tjetër ishte dedeh rregullimi i shkallëve të Dragodanit, e për të cilën zyrtarë të ndërtimit thanë që e kanë paraparë në projektin e 2018-ës.
E një nga zonat e reja të banuara të Prishtinës, Rruga A në lagjen “Mati 1”, nuk është në synimin e Komunës së Prishtinës për vitin 2018. Kjo, për shkak se ka problem me shpronësim të pronave.
Kjo është pohuar për Ndërtimi.info nga zyrtarja për ndërtim në Komunë e Prishtinës, Valbona Berisha.
“Sigurisht që do të ketë në të ardhmen, por për momentin problemet e shpronësimit”, tha Berisha.