Infrastrukturë
Qytetarët e Prizrenit ankohen për projektet infrastrukturore
Komuna e Prizrenit, pas debateve të shumta, të organizuara tanimë, ka marrë edhe të gjitha preferencat dhe sugjerimet e banorëve për buxhetin e vitit 2018, se ku janë nevojat dhe prioritet e investimeve.
Prizreni ka votuar shqyrtimin e parë të Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2018-2020,sipas së cilës në vitin 2018 buxheti i Prizrenit rritet për 5 milionë euro dhe do të jetë mbi 43 milionë.
Drejtori i Financave, Ertan Simitçi, sqaroi se Komuna e Prizrenit ka pranuar qarkoren e Ministrisë së Financave që e përcakton kufirin e buxhetit që Komuna e Prizrenit do ta ketë në tri vitet e ardhshme.
“Buxheti i Komunës së Prizrenit vjen nga dy burimet kryesore, nga grantet qeveritare që janë mbi 35 milionë euro, e që për vitin 2018 shënojnë një rritje prej 3 milionë dhe të hyrat vetjake që janë mbi 8 milionë ose rreth 2 milionë më shumë se në vitin 2017. Buxheti i Prizrenit në vitin 2018 do të ketë rritje për 5 milionë euro”, u shpreh Simitçi. Mirëpo, duhet se kërkesat e qytetarëve janë shumë të mëdha lidhur me këtë buxhet.
Lubizhda ka shumë nevoja
Halim Bytyqi pohon për “Kosova Sot” se nuk ka marrë pjesë në debate për buxhetin, por e di se në rrugën “Nëna Terezë” në Prizren ka nevojë të bëhen shumë investime.”Së pari atje që nga paslufta s’ka ujë të pijes, pastaj ajo që duhet të thuhet atje ende ka rrugë pa rrjet të kanalizimit dhe pa rrjetë të ujësjellësit”, është shprehur ai.
Kurse Nehat Vehapi, nga Lubizhda e Prizrenit, tregon për “Kosova Sot” se si fshat kanë shumë nevoja.”Atje tashmë kemi nevojë për infrastrukturë të shumtë. Kemi nevojë për rrugë për një terren sportiv, për një ambulancë të re e për shumë gjëra të tjera”, është shprehur ai. Shaip Kryeziu, nga “Handikoss”, ka folur për shumë pengesa që tani e sa kohë i kanë në rrugën”Marin Barleti” dhe tanimë është vështirë- suar shumë rasti i të barturit të anëtarëve të kësaj shoqate deri në lokalet e shoqatës.
Shumë projektet janë elektorale
Përderisa bëhet planifikimi i buxhetit përmes debateve, organizata nga komuna e Prizrenit thonë se prizrenasit kanë një mal kërkesash, të cilat kryesisht janë në fushën e infrastrukturës.
Haxhi Avdyli, kryetar i degës së LDK-së në Prizren, pohon se tani ky vit është vit zgjedhor dhe se edhe buxheti do të destinohet me qëllime dhe për shërbime zgjedhore.
Po kështu mendon edhe Zafir Berisha nga Nisma. “Tanimë dihet se buxhetin pushteti aktual dëshiron ta orientojë drejt interesave të veta për zgjedhje, por kjo s’ besoj se do t’u ndihmojë”, është shprehur ai. Kurse, dhjetëra qytetarë pohojnë se kanë shumë nevoja për infrastrukturë. Avdi Rashana, nga lagjja “Takakane”, ankohet në faktin se rruga “Azem Bejta” ka mbetur rrugë e paasfaltuar. Ai kërkoi edhe shtrimin e trotuarit, i cili në mes të Prizrenit po e shëmton këtë pjesë të qytetit. Në emër të banorëve të lagjes “Jeta e re”, tani e një kohë ankohen banorët për rrugën rreth ish-hekurudhës që e kanë pa shtruar.
“Ne, banorët të kësaj lagje, asnjëherë s’e kemi gëzuar shtrimin e rrugës. Në pluhur, në baltë, jemi gjithmonë. Nxënësit tanë dimrit shkojnë gjithmonë me këmbë të lagura. Unë besoj se kjo pjesë e qytetit nuk ka më kuptim në vitin 2017 të jetë në këtë gjendje”, pohon Agim Berisha. Lidhur me këtë rrugë zyrtarët e komunës gjegjësisht drejtori i Shërbimeve Publike, Sulltan Badallaj, për gazetën pohon: “Këtë vit jemi të bindur se do ta shtrojmë atë rrugë”, ka theksuar ai. Kurse Haziz Hodaj tregon se në fshatin Gjonaj problemet e banorëve mbesin të njëjta dhe ka nevojë për më shumë buxhet.