Aktuale
ALARMI që po na troket: Huamarrja për blerje të pronave

Shumë qytetarë për të blerë një shtëpi apo banesë, rrugëzgjidhje të vetme e shohin marrjen e kredisë, paçka se për një veprim të tillë duhen vite të tëra për t’u paguar. Por, ky opsion shumë i përhapur është shndërruar në preokupim për Fondin Monetar Ndërkombëtarë të Kosovës (FMN).
Shkruan: Arta Desku
Ditë më parë Shefi i Fondi Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen në intervistë për Evropën e Lirë, rritjen e huamarrjes në banka e ngriti si shqetësim.
Se vlera e kredive është më e madhe se në vitet e kaluara e thonë edhe nga Banka Qendrore e Kosovës(BQK). Vetëm brenda 9 muajve (Janar-Shator) vlera e kredive hipotekare në Kosovë ka arritur në 369 mijë e 968 euro, kështu ka bërë të ditur për Ndërtimi.info, zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.
Ai ka shpjeguar se në të njëjtën periudhë kohore vitin e kaluar (2017) vlera e kredive hipotekare ishte 324 mijë e 967 euro.
“Nga shtatori i vitit 2017 e deri në shtator të 2018-tës shuma e kredive hipotekare nga 324 mijë euro është ngritur në 369 mijë, derisa numri i kredive nga rreth 4 mijë është rritur në 5 mijë. Kreditë hipotekare komerciale nga 162 mijë euro janë ngritur në 183 mijë euro, teksa ato rezidenciale nga 162 mijë euro në 186 mijë euro”, është shprehur ai.
Ahmeti ka deklaruar se huamarrja(kredi-dhënia) vazhdon të jetë në nivel dyfishor për dy-tre vite dhe se treguesit e caktuar financiar sugjerojnë që bankat kanë hapësirë për rritje të kreditimit dhe mbajtje të trendit të njëjtë.
“Huamarrja vazhdon të jetë në nivel dyshifror përgjatë një periudhe të caktuar kohore (dy-tri vite). Treguesit e caktuar financiar sugjerojnë që bankat kanë hapësirë për rritje të kreditimit dhe mbajtje të trendit të njëjtë. Matur përmes treguesit të kredive ndaj depozitave tregon që ky indikator është në nivelin rreth 80%, nën mesataren e vendeve të rajonit”, është shprehur Ahmeti.
Rritja e marrjes së kredive sipas ekspertit të ekonomisë, Muhamet Mustafa, duhet të ketë një analizë të gjithanshme e që më pas do të rezultonte me masa adekuate.
Mustafa për Ndërtimi.info tha se rritja e kredive për prona është bërë meqë po rritet edhe çmimi i patundshmërisë në lokacione të caktuara. Megjithatë, ai thotë se ky rrezik deri më tani është menaxhuar nga përfitimet që kanë pas marrësit e kredive.
“Është e vërtetë se një risk nga rritja incidentale e kredive për prona të paluajtshme ekziston, por ky trend është rezultat i rritjes së çmimeve të patundshmërive, sidomos tokave në lokacione të caktuara. Ky rrezik deri tani është menaxhuar nga përfitimet që kanë pasur marrësit e kredive, kështu që edhe niveli i kredive të këqija është i ultë tani për tani. Por mund të thuhet se ‘nxehje’ e kredive për banesa po i mbanë deri diku çmimet e banesave të larta edhe përkundër ofertës së madhe. Prandaj këtu ndoshta mund të pritet problem, nëse marrësit e kredive nuk mund t’i kthejnë kreditë, ose nëse ndërtuesit e banesave nuk mund t’i shesin ato për shkak të ndonjë restrikcioni në këtë lloj kredisë. Pra nevojitet një analizë më e gjithanshme , e pas kësaj edhe masa adekuate”, është shprehur Mustafa.
Këtë rritje të huamarrjes shqetësuese e sheh edhe njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri.
Sipas tij, me rritjen aktuale ekonomike dhe me këtë numër të të punësuarve nuk ka mundësi që qytetarët e bizneset të marrin shuma kaq të mëdha parash në vlerë të kredisë.
“Rritja e huamarrjes për blerje të pronave është shqetësuese edhe për Republikën e Kosovës mendoj se me të vërtet është për t’u shqetësuar. Me rritjen aktuale ekonomike dhe numrin e të punësuarve nuk ka mundësi që qytetarët edhe bizneset të marrin kredi në kaq vlera të mëdha, pra sipas mendimit tim këtu janë dy gjëra kryesore, ekonomia informale dhe shpëlarja e parave faktori kyç” ka potencuar Beqiri.
Raporti i kredive joperformuese ndaj gjithsej kredive të sektorit bankar në vend, vitin e kaluar është zvogëluar në 3.1 për qind nga 8.4 për qind sa ishte në vitin 2015, thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK). Vetëm vitin e kaluar, vlera e kredive të shlyera ka qenë 27.4 milionë euro.
Ndryshe,nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është tërhequr vërejtja se rritja e shpejtë e huamarrjes nga konsumatorët e pasiguruar që përdoret për të financuar blerjen e pronave, mund të jetë shqetësuese.
Shefi i Fondi Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, në një intervistë dhënë kohë më parë ngriti si shqetësim rritjen e shpejtë të kredive në disa segmente.
“Për shembull, rritja e shpejtë në huamarrjen nga konsumatorët e pasiguruar që përdoret për të financuar blerjen e pronave mund të jetë shqetësuese nëse kalon në furnizim të tepërt. Andaj, mbetet e rëndësishme për mbikëqyrësit që të monitorojnë kësi lloj dobësish”, ka thënë Vermulen.
Ndonëse metoda më efektive për të arritur tek qëllimi, mos-shlyerja e borxhit të kredisë brenda afatit të paraparë kohorë penalizohet me gjobë./Ndërtimi.info/
