Aktuale
Hapet zyrtarisht Aeroporti i Ri i Stambollit, Presidenti Thaçi pjesë e ceremonisë

Aeroporti i Stambollit, u hap sot zyrtarisht nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në 95 vjetorin e themelimit të Republikës Turke.
Duke folur në ceremoninë e inaugurimit të aeroportit të ri masiv, Presidenti Erdogan tha se do të jetë një model për botën në aspektin e arkitekturës, ndërtimit, operimit dhe financimit të tij.
Ceremonia u ndoq nga një mori liderësh botërorë, përfshirë presidentin e Kosovës i cili përmes një postimi në Facebook ndau disa fotografi nga ceremonia së bashku me presidentin e turk, duke e uruar për Aeroportin e Ri dhe Ditën e Republikës së Turqisë.
Postimi i plotë:
“Me liderë shtetesh në përurimin e Aeroportit të Ri të Stambollit, i cili pritet të shndërrohet në aeroportin më të madh në botë. Në emër të qytetarëve të Kosovës, presidentin Erdoğan e urova edhe për Ditën e Republikës së Turqisë”, shkroi Thaçi.
Përveç Presidentit Thaçi, të pranishëm ishin edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ai i Kirgistanit, Republikës Turke të Qipros Veriore, Maqedonisë, Moldavisë, Pakistanit, Serbisë dhe Sudanit, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Herzegovinës, kyetari i parlamentit të Azerbajxhanit, kryeministri i Bullgarisë, dhe ministra dhe zyrtarë të lartë të vendeve të ndryshme.
“Ne e shohim Aeroportin e Stambollit si një investim jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajonin tonë dhe në botë”, tha Erdogan.
Erdogan tha se sapo të përfundojnë të gjitha fazat e tij, Aeroporti i Stambollit do të shërbejë 150 milionë pasagjerë në vit.
“Nëse është e nevojshme, kapaciteti vjetor mund të rritet në 200 milionë,” shtoi ai.
Me hapjen e fazës së parë, gjithsej 90 milionë pasagjerë mund ta përdorin aeroportin në baza vjetore.
Erdogan vuri në dukje se aeroporti do të vazhdojë të rritet gjatë dekadës së ardhshme, derisa të gjitha fazat të përfundojnë deri në vitin 2028.
“Aeroporti eko-miqësor i cili është ofron kushte të përshtatshme për të gjithë personat posaçërisht ata me nevoja të veçanta, do të krijojë 120 mijë vende pune”, u tha në fjalimin e Erdoganit.
I ndërtuar nga një konsocium prej 5 kontraktorësh, me një vlerë 29 miliardë dollarë ky aeroport ka qëllimin që të kthehet në një prej aeroporteve më të rëndësishëm të botës. Zona ku po hapet aeroporti i ri i Stambollit quhet “Arnavutkoy”, që në shqip do të thotë “Fshati i shqiptarëve”.
Ky investim ka një sipërfaqe 76 milionë metra katrorë ndërsa faza e parë e aeroportit do t’u shërbejë 90 milionë pasagjerëve. Në total, kapaciteti i tij pritet të jetë mbi 200 milionë pasagjerë, që është edhe dyfishi i trafikut të aeroportit të Atlantas, që ka aktualisht trafikun më të madh të pasagjerëve në botë.
