Aktuale
Mitrovica shpërfillë Ligjin e Prokurimit, OSHP ia kthen në RIVLERËSIM edhe një tender milionësh

Komunës së Mitrovicës nuk po i shkojnë për dore tenderët. Brenda një ditë kësaj komune Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ia ka kthyer në Rivlerësim tre tenderë. (‘Rregullimi i shtratit të lumit Sitnica në Mitrovicë-bashkëfinancim me MMPH’, ‘Rregullimi i shtratit të lumit Ibër në Mitrovicë’ si dhe ‘Ndërtimi, rregullimi dhe riparimi i rrugëve dhe trotuareve financim nga buxheti dhe bashkëfinancim qytetar).
Arsyet dalin të jetë pothuajse të njëjta. Ndër arsyet është edhe mos respektimi i nenit kryesor të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), për dhënie të kontratës që është çmimi më i ulët.
Anulimi për tenderin, ndërtimi, rregullimi dhe riparimi i rrugëve dhe trotuareve financim nga buxheti dhe bashkëfinancim qytetar, u bë pas ankesës së parashtruar nga kompania “Bajraktari” Sh.P.K dhe kompania “Lirigzoni” të cilat pretendojnë se Komuna e Mitrovicës në dhënien tenderit për kompaninë “Bageri” nuk ka respektuar nenet që parashihen me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP).
Për rregullimin, ndërtimin dhe riparimin e rrugëve dhe trotuareve komuna kishte planifikuar 4 milionë euro. Ndërsa, kompania “Bageri” e rekomanduar për tender kishte ofertuar me çmim 2 milionë e 468 mijë euro.
Në këtë rast, eksperti konstaton se ndryshimi i çmimit ndërmjet operatorit ekonomik të rekomanduar për dhënie të kontratës dhe operatorit ekonomik ankues “Bajraktari”, është 174 mijë e 285 euro.
“Eksperti shqyrtues vlerëson se nga AK oferta e OE ‘Bajraktari’ nuk është vlerësuar në përputhje me kërkesat e parashtruara në dosje të tenderi, dhe arsyet e eliminimit se disa pajisje të deklaruara nuk kanë regjistrim janë jo të arsyeshme, dhe ndryshimi i çmimit në mes OE të rekomanduar për kontratë dhe OE ‘Bajraktari’ është 174,285.00euro”, pasi “Bajraktari” kishte ofertuar me çmim 2 milionë e 293 mijë e 990 euro, thuhet në sqarimi e ekspertit të OShP-së.
Ndërkohë, pas ankesave të dy kompanive të eliminuara, paneli shqyrtues del në përfundim se ekzaminim, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të LPP-së
“Anulohet njoftimi për dhënien e kontratës, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull të prokurimit ‘Ndërtimi, rregullimi dhe riparimi i rrugëve dhe trotuareve, financim i buxhetit si dhe bashkëfinancim me qytetar”, i iniciuar nga Autoriteti Kontraktues, Komuna e Mitrovicës dhe lënda kthehet në Ri-vlerësim”, thuhet në njoftimin e vendimit të OShP-së, përcjellë Ndërtimi.info
Në një dokument prej 15 faqesh OShP shpjegon se si ka rrjedh gjithë procesi për këtë tender.
Në arsyetimin për eliminimin e kompanisë ankuese “Bajraktari” nuk theksohen kërkesat për të cilat bëhet fjalë vetëm thuhet se nuk plotëson kërkesat e nenit 9.1 dhe 9.2 DT.
Ku për këtë eksperti shqyrtues ka konstatuar se arsyet e eliminimit për ofertën e “Bajraktari” janë të paqarta.
“Eksperti shqyrtues konstaton se arsyet e eliminimit janë të paqarta lidhur me ofertën OE “Bajraktari”, pasi në njërën anë në letrën standarde për tenderuesin e pasuksesshëm nuk jepen arsyet e eliminimit dhe gjithashtu në anën tjetër vendimi për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim është i paqartë. Sepse në njërën anë thotë se nuk jeni operator i eliminuar por i pasuksesshëm. Ndërsa, në anën tjetër thotë se nuk kemi plotësuar kërkesat e dosjes së tenderit lidhur me kapacitetin teknik/jo profesional”, thuhet në sqarimin e ekspertit shqyrtues.
Ndërsa, sa i përket kompanisë ankuese “Lirigzoni”, eksperti konstaton se pretendimet ankimore të ngritura për shkelje të nenit 6, 7, 56, 59, 61, 69 në raport me ofertën e tij me përjashtim të nenit 108/A janë të paqëndrueshme pasi siç thuhet nga eksperti Komuna e Mitrovicës nuk ka respektuar afatin 3 ditor për marrjen e vendimit të kërkesës për rishqyrtim.
Madje eksperti ka konstatuar se komuna me rastin e eliminimit të kompanisë “Lirigzoni” ka vepruar në përputhje me rregulloren për tender jonormalisht të ulët.
“Eksperti shqyrtues konstaton se AK me rastin e eliminimit të operatorit ekonomik “Lirigzoni” ka vepruar në përputhje me rregulloren për tender jonormalisht të ulët, pasi që AK ka ndjekur të gjitha hapat e nevojshëm ku paraprakisht ka kërkuar sqarime të nevojshme nga OE ankuese, dhe sipas përgjigjeve nuk është bind se oferta e tij është e arsyeshme sa i përket anëse financiare. Në shumë pozicione çmimet për njësi janë të kalkuluar gabimisht dhe janë çmimet tjerat të ulëta siç është rasti për një metër kub, dheu që përfshinë gërmimin e dheut në pozicionin 2.3 dhe transportin deri në 5 kilometër largësi është ofruar çmim prej 0.01 euro, pastaj pozicioni 5.14që ka të bëjë me furnizim të kubëzave të parafabrikuara çmimi për metër katror është ofruar prej 0.08 për njësi. Ndërsa, TVSH-ja është 0.02 cent dhe kalkulime të tilla ka në shumë pozicione, siç është rasti tek pozicioni 5.12 çmim për m kub është 0.01, ndërsa TVSH-ja 00.00 cent. Me këtë rast duhet të theksohet se pretendimet e ngritura lidhur për çmime në pozicione të caktuara tek oferta e O të rekomanduar për kontratë janë të bazuara, por është e rëndësishme të theksohet se AK për eliminim të ofertave ka zbatuar rregulloren për tenderët abnormalishtë të ulët në përputhje me nenit 61 të LPP”, thuhet në sqarimin e ekspertit shqyrtues.
Megjithëkëtë është konstatuar se “Lirigzoni” i ka plotësuar tri kushtet që kërkohen me rregullore për tender jo normalisht të ulët për ta trajtuar dhe se kjo kompani është nën kufijtë e përcaktuar me rregullore pasi çmimi i tij është nën pragun e lejuar.
Por përfaqësues i kompanisë “Lirigzoni” Skenderaj, përveç për rivlerësim të lëndës me ekspertin shqyrtues nuk është pajtuar në asnjë konstatim.
“Kemi marrë një kërkesë nga AK që të deklarohemi për çështje financiare pasi kanë thënë se nuk plotësojmë kriteret. Ne kemi ofruar deklaratë me çka dëshmojmë se tri vitet e fundit 2015-2016-2017 kemi dërguar CD të auditorit, mirëpo viti 2018, nuk kam mund të jetë pjesë auditimit pasi nuk është mbyll viti fiskal. Qarkullimin bankarë e mbrojmë edhe me deklaratat në ATK që janë muaj për muaj, mirëpo edhe pas këtyre dëshmive AK na eliminoi si jo të bazuara. Me ekspertin shqyrtues nuk pajtohemi në asnjë konstatim sepse besoj që nuk ka lexuar dokumentet në dosje të tenderit. Kërkoj nga paneli të verifikoj dokumentet për të cilat eksperti thotë se nuk qëndrojnë. Kërkojmë nga paneli të kthej lëndën në rivlerësim dhe të aprovohet në tërësi ankesa jonë”, thotë përfaqësuesi i kompanisë “Lirigzoni” në seancën dëgjimore.
Megjithëkëtë, përfaqësues të Komunës së Mitrovicës kanë kërkuar nga paneli shqyrtues që dy ankesat t’i refuzoj si të pabazuara dhe të miratohet vendimi i komisionit vlerësues.
Në seancën dëgjimore, me këmbëngulje përfaqësuesi i komunës kishte kërkuar që të mos kthehet në rivlerësim lënda.
“Kërkojmë nga peneli që në asnjë mënyrë të mos kthehet lënda në rivlerësim pasi e dimë që është fund viti dhe çfarëdo rivlerësimi të bëhet do ketë prapë probleme dhe ankesë. Andaj paneli duhet të sjellë një vendim meritor që të jetë i qartë në vendimin e tij, ose të na jepet leje të vazhdojmë tutje ose të miratojnë ndonjërën prej ankesave apo ta anuloj në tërësi aktivitetin, mirëpo në asnjë mënyrë në rivlerësim”, ishte deklaruar përfaqësuesi i komunës.
Megjithëkëtë, paneli shqyrtues vjen në përfundim se ekzaminimi, vlerësimi e krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të LPP-së dhe njëkohësisht nuk është respektuar neni 60 i LPP, që është kriteri kryesor për dhënie të kontratës e që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët.
Për këtë edhe ka obliguar Komunën e Mitrovicës që gjatë rivlerësimit të ofertave dhe në të ardhmen t’i përmbahet në detaje të gjitha dispozitave që parashihen me Ligjin e Prokurimit dhe kërkesave të dosjes së tenderi dhe njoftimit për kontratë.
