Aktuale
Vazhdon maratona e tenderit të ujësjellësit, Dragashi nuk përfill rekomandimet e OShP-së

Komuna e Dragashit ka dështuar për të katërtën herë që t’i japë udhë tenderit për ujësjellësin kryesor që lidh 15 fshatra të kësaj komune. Pra, për katër herë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka kthyer këtë tender në Rivlerësim.
Përkundër gjithë kësaj, sërish Komuna e Dragashit nuk arriti t’i bëjë zgjidhje këtij lëmshi.
E mos respektimi i vendimeve të OShP-së ka bërë që ky institucion i njohur edhe si Gjykata e Tenderëve ka urdhëruar Komunën e Dragashit që brenda pesë ditësh të njoftoj OShP-në, operatorët ekonomik “Puna” Sh.P.K&NN “Info Plus” dhe konsorciumin NNP “EBK”&Gashi ING”&”Vodoskol”&”Muratori” Sh.P.K lidhur me zbatimin e vendimit të OSHP-së për këtë projekt.
Mos respektimi i kësaj urdhërese, brenda periudhës prej pesë ditë kalendarike, do të detyrojë panelin shqyrtues që të kërkoj nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) anulimin e licencës për menaxherin e prokurimit të Komunës së Dragashit.
“Mos respektim i kësaj urdhërese, brenda periudhës prej pesë dite kalendarike, do ta detyroj panelin shqyrtues që të veproj konform nenit 131 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) dhe njëkohësisht të kërkoj nga KRPP-ja, anulimin e licencës për menaxherin e prokurimit të AK-së-Komuna e Dragashit, sipas nenit 25 paragrafi 8 dhe 9 të LPP-së”, thuhet në njoftimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Kjo e fundit pas ankesave që kishte marrë nga operatorët ekonomikë, kishe angazhuar ekspertët shqyrtues që të sqarojnë këtë situatë.
Ndërkohë që eksperti shqyrtues bazuar në faktet e prezantuara në dokumentacionin që ka pranuar në shqyrtim dhe analizën e procedurës së prokurimit dhe katër vendimeve të OSH-së, komisioni i Ri-vlerësimit për katër herë nuk ka vlerësuar, ekzaminuar dhe krahasuar ofertat e operatorëve ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet ë prokurimit dhe nuk ka respektuar vendimet e OSHP-së, duke mos vepruar në pajtim, në tërësi me dispozitat ligjore të LPP-së.
Megjithëkëtë, në seancën dëgjimore të mbajtur me datën 10.10.2018, përfaqësuesi i Komunë së Dragashit kishte thënë se çdo vendim i OShP është respektuar nga komuna.
Ndërsa në pyetjen e anëtarit të panelit shqyrtues se a i plotëson kërkesat e dosjes dhe njoftimit për kontratë kompania fituese, ai ka thënë se në bazë të dokumenteve të ofruara kompania i plotëson kërkesat e Komunës së Dragashit.
Gjatë këtij prezantimi eksperti shqyrtues i kësaj lënde ka deklaruar se sa i përket përgjegjshmërisë së këtyre kontratave, janë sqaruar mjaftë mirë.
“Për mua vendimet e mëparshme të OShP-së janë ligj, dhe nuk mund t’i kontestoj, Sa i përket përgjegjshmërisë së këtyre kontratave, mendoj se janë sqaruar mjaftë mirë deri më tani dhe për këtë janë edhe vendimet e OShP-së. Qëndroj pranë raportit të ekspertizës dhe konstatimeve të dhëna në ekspertizë”, ka deklaruar eksperti shqyrtues.
Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimi i pretendimeve ankimore të operatorëve ankues sqaron se kjo lëndë është trajtuar disa herë nga OShP dhe me vendimin është konstatuar se operatori ekonomik “Ebk&Gashi Ing&Vodoskoka&Muratori”, nuk i përmbush kërkesat e specifikuar në nenin 8.1 të FTD-së.
“Është konstatuar se operatori ekonomik “Ebk&Gashi Ing&Vodoskoka&Muratori”, nuk i përmbush kërkesat e specifikuar në nenin 8.1 të FTD-së, ku është kërkuar ‘Operatori ekonomik duhet të ofroj dëshmi të kënaqshme se qarkullimi vjetor gjatë 3 viteve të fundit (2014, 2015, 2016) ka qenë në vlerë së bashku në tri vitet e fundit prej jo më pak se (4,043,648.00euro) nuk ka ofruar dëshmi konform nenit 8.2 të FTD-së. Grupi i operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë lidhur me kërkesën e specifikuar në nenin 9.1 ka ofruar dëshmi marrëveshjen për furnizim me zhavorr mirëpo nuk ka ofruar si dëshmi licencën nga organet kompetente për gurëthyes ashtu siç është kërkuar në nenin 9.2 të FDT-së”, thuhet në sqarimin e panelit shqyrtues të OShP-së.
Paneli shqyrtues obligon Komunën e Dragashit që gjatë rivlerësimit të zbatojë vendimin e panelit shqyrtues.
Për staginimin e këtij tenderi maratonik, kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani në fillim të këtij muaji i pati thënë Ndërtimi.info se nuk po dinë çfarë të bëjnë më dhe se e vetmja zgjidhje më e mirë kishte me qenë nëse Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) do ta anulonte krejtësisht tenderin, dhe që me këtë tender të ofertohej me operatorë të rinjë.
“Realisht ne jemi në një pozitë të vështirë. Nuk po kemi mundësi as me anulu tenderin e me rishiku. Por neve vetëm po na kërkohet që me bë rivlerësimin me të njëjtit operatorë ekonomik që kanë ofertuar. Komisioni ka kaluar nga një operatorë që ka qenë më i liri pjesën e operatorit të dytë. Nëse ka rekomandime prej OShP-së mund të kalohet operatori tre dhe katër. Sepse realisht nuk ka procedurë se çka me vepru. Jemi në pritje të vendimit të OShP-së. Unë prej fillimit kam pas dëshirë me pas këtë mundësi. Mirëpo nuk e kam këtë mundësi, sepse, gjithnjë po kërkohet me u bërë rivlerësimi dhe jo anulimi. Po t’i kishim rekomandimet për me anulu unë me kënaqësi e kisha anuluar dhe kish me dalë tenderi i ri dhe operatorët ekonomik kishin konkuruar nga fillimi”, ka deklaruar Shabani.
