Aktuale
Këto parashihen me Ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Me miratimin e ligjit për këtë kompleks i hapet rrugë ndërhyrjes në të, e konkretisht restaurimin dhe konservimin e kullave në atë kompleks, që rrezikohen të rrëzohen, shkruan Ndërtimi.info.
E, me këtë Ligj përcaktohet statusi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe obligimet e institucioneve të Kosovës për planifikimin, ndërtimin, mbrojtjen, konservimin, restaurimin, administrimin, kujdesin dhe prezantimin e tij.
Me anë të këtij ligji përcaktohet edhe hapësira që përfshinë Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.
“Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz përfshinë hapësirën e varrezave të dëshmorëve të lagjes Jashari, objektet nga të cilat është bërë rezistenca e armatosur, shtëpitë dhe objektet përcjellëse të kësaj familje. Lagjen Jasharaj, lagjen nr. 3 të qytetit të Skenderajt, zonën e ish fabrikës së municionit, një pjesë të Prekazit të Epërm, gjithësi 450 sipas Planit të aprovuar për Kompleksin e në përputhje me sipërfaqen e përcaktuar me ligjet në fuqi”, thuhet në nenin 4 të këtij ligji.
Tutje ligji përcakton çka duhet të përfshijë projekti për këtë kompleks memorial
“Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, do të realizohet sipas Projektit, i cili përzgjidhet në bazë të shpalljes së hapur dhe publike. Projekti duhet që, të shprehë frymën e përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 3 të këtij ligji dhe të përmbajë: pjesën e varrezave, konservimin e Kullave të rezistencës dhe bunkerit, objektin e informacionit, amfiteatrin verorë bashkë me objekte përcjellëse të tij, muzeun, shtatoren e Adem Jasharit, obeliskun, objektin për Garden ceremoniale të FSK-së, vendparkingun, parkun e Kompleksit, zhvendosjen e disa shtëpive të lagjes Jashari përfshi edhe shtëpitë e familjes Jashari dhe objekte tjera të nevojshme”, përcaktohet në nenin 5.
E, përzgjedhja e projektit, sipas ligjit, duhet ta bëjë Këshilli i veçantë i emëruar me vendim të Qeverisë, me kërkesën e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës në përputhje me ligjin nxjerr planin për menaxhimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ndërsa, ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i Kompleksit Memorial ”Adem Jashari” në Prekaz bëhët në përputhje me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.
Ligji gjithashtu ka përcaktuar edhe mënyrën e financimit të Kompleksit Memorial “Adem Jashri” .
“Mjetet e nevojshme për projektimin, ngritjen, sigurimin, mirëmbajtjen e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” dhe aktiviteteve tjera të nevojshme, të përcaktuara me këtë ligj do të ndahen nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe donacionet e ndryshme. Mjetet e mbledhura në formë donacioni apo mënyra tjera për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’, derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës, të cilat më pastaj trajtohen sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në nenin 14 të ligjit.
Ndërkaq, financimi përfshinë edhe ndërtimin e shtëpive dhe objekteve të tjera familjare të Jasharajve, shpronësimin dhe zhvendosjen e tyre.
