Aktuale
“Hyperallergic”: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, objekt me elemente të shumta osmane

Në mesin e objekteve më mahnitëse arkitekturore të Kosovës, ai që përmendet më së shpeshti nga revistat prestigjioze ndërkombëtare është Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
Së fundmi revista amerikane e artit “Hyperallergic”, në artikullin “Modernizmi i komplikuar i Jugosllavisë”, e konsideron Bibliotekën Kombëtare si ndërtesë me elemente të shumta osmane.
Profesoresha e artit në kolegjin “Rhode Island”, Natasha Seaman përmes reportazhit të saj veçon këtë bibliotekë si një objekt përveç se i bukur edhe shumë i mbrojtur.
“Biblioteka Universitare e Kosovës në Prishtinë, e projektuar nga Andrew Mutnjaković është e mbledhur në 99 kube me kupola ku secili modul ndryshon për nga madhësia. Pjesa e poshtme e ndërteses është e mbështjellë me një rrjetë metalike, duke iu referuar traditës lokale të filigranës. Përveç se i bukur, ky objekt duket goxha i mbrojtur” është shprehur ajo.
Më poshtë mund ta gjeni artikullin e plotë:“Modernizmi i komplikuar i Jugosllavisë”
Kur mbërrita në Jugosllavi, si një studente 17 vjeçare, përmes një programi të shkëmbimit, në vitin 1986, çdo gjë më dukej jashtëzakonisht e huaj. Gjuha gjithsesi, por edhe ajri, aroma e tymit të cigares dhe naftës; kuzhinat të cilat këmbëngulnin të përgatisnin disa gjëra të caktuara si supa dhe lakrat turshi pothuajse në çdo vakt. E banjot kishin mungesë të perdeve të dushit, ndërsa letrat higjienike gati të ngurta në formë të drejtëkëndëshit, ishin pothuajse me ngjyrë të kuqe.
Pastaj aty ishin ndërtesat. Unë isha rritur në një qytet të vogël të Virxhiniës Perëndimore, ku arkitektura madhështore gjatë periudhës së “Lumber Industry” ishte një përzierje e dyqaneve modeste, e shtëpive të drunjta dhe varfërisë në përgjithësi. Në Jugosllavi si dukej të gjithë jetonin në ndërtesa identike shumëkatëshe. Disa nga ndërtesat në Kragujevc, ku unë kam jetuar datonin nga shekulli i XIX-të, por pjesa tjetër e tyre ishin pllaka moderniste. Modernizmi ishte po aq pjesë e shijes në vend, sa gotat e kafesë dhe të qumështit turk, që shiteshin të nxehta në enë të plastikës.
Arkitektura ishte rezultat i përpjekjeve të përbashkëta kombëtare për modernizim dhe unifikim. Jugosllavia siç dihet ishte një konstrukt që më pas u shpërbë. Ajo bashkoi gjashtë republika të veçanta pas Luftës së Dytë Botërore, ku fliteshin pesë gjuhë. Jugosllavia kishte madhësinë pothuajse sa të Ohajos. Shtrirja politike e saj ishte në mes të vendeve të Perdes së Hekurt dhe atyre të Perëndimit edhe pse me asnjërën konkretisht nuk ishte e radhitur.
Një ekspozitë e pamundur dhe e rëndësishme njëkohësisht “Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948-1980” (Drejt një koncepti konkret: Arkitektura në Jugosllavi gjatë viteve 1948-1980), në Muzeun e Artit Modern, shtjellon temën e arkitekturës moderne të Jugosllavisë. Kjo shfaqje argumenton për rëndësinë e historisë së arkitekturës gjatë periudhave të mëhershme e deri tek ajo e shek. XX. Ekspozita është një mundësi për zbulim aq sa ishte edhe nostalgji për ndërtesat e dikurshme të vendit dhe ato të cilat aktualisht kishin mbetur.
Shfaqja me rigorozitet shpjegon një periudhe kohore të tensioneve etnike, e cila megjithatë arriti t’i rezistojë kohës. Në një arkaizëm të hollë, të gjithë arkitektët janë identifikuar si jugosllavë, pavarësisht se cilës republikë kanë pretenduar se i takojnë. Videot nga regjisorja Mila Turajlic tregon një ndërthurje të historisë para se ajo të shpërbëhej. Në hyrje videoja thotë “Mi gradimo zemlju- zemjla gradi nas” (Ne e ndërtojmë vendin- vendi na ndërton neve) teksa nga kënga në sfond dëgjohet një thirrjet e këngëtares “Jugosllavia”.
Videot janë një strategji për të sjellë ndërtesat brenda në ekspozitë. Ato përfaqësohen edhe nga skicat dhe planet e arkitektëve, projektet e ndërtesave, të krijuara me dashuri nga studentët e arkitekturës dhe fotografitë e realizuara nga MoMA. Blloqet e standardizuara të apartamenteve përbëjnë thelbin e Jugosllavisë. Pjesa më e madhe e shfaqjes i kushtohet strukturave ambicioze, disa prej tyre janë ndërtesa banimi por shumë prej tyre janë biblioteka, ndërtesa qeveritare, qendra kulturore e hotele. Materiali kryesorë i përdorur për ndërtimin e tyre është betoni i përforcuar.
Marrim shembull hotelin Zlatibor në Užice, i projektuar nga Svetlana Kana Radević dhe ndërtuar në mes të viteve 1964 dhe 1967. Ai ngritet në një nivel të qëndrueshëm e të përshtatshëm. Baza ka një formë interesante të drejtkëndëshave, teksa kullat duken si aeroplanë të mbështetur në “bishtat” e tyre e të lidhur së bashku, për të mbajtur masën qendrore të ndërtesës . Këta “bishta”, si një shumëllojshmëri e ballkoneve të shkelura, duket sikur qëndrojnë pezull në mënyrë provokuese mbi bazën horizontale. Falë kësaj dhe shiritit të fuqishëm vertikal mbi ta, i gjithë objekti duket sikur gati do të “shpërthejë”.
Një manifestim i modës arkitekturore jugosllave ishte stili që shihet në Hotel Zlatibor, që duket se i ka rezistuar kohës dhe vendit. Ai paraqet një tjetër traditë kulturore të integruar me modernizmin. Unë kam qenë pak e zhgënjyer, (edhe pse e kuptoj ) që ndërtesa e vjetër në të cilën banoja në Kragujevac, nuk është përfshirë në këtë ekspozitë. Apartamentet kryesisht janë përballë njëri tjetrit rreth një hapësireje të madhe, duke nxitur kështu bashkëpunimin fqinjësor. Fasadat e veçanta dhe çatitë me tjegulla janë njëherësh edhe si “gjysmë-rrënjë” që i referohen shtëpive të fshatrave serbe.
Dy ndërtesa me elemente të arkitekturës osmane janë: Xhamia e Bardhë Serefudin, në Visoko të Bosnjës (1980), e dizajnuar nga Zlatko Uglijen dhe Biblioteka Universitare e Kosovës, Prishtinës ” e projektuar nga Andrew Mutnjaković. Xhamia e Uglijenit ruan gjeometrinë skulpturore dhe një pamje tipike të ndërtimit Modernist, si Opera e Baletit në Shkup të Maqedonisë, por ka kthesa më të gjata dhe më të fshehura. Biblioteka Kombëtare e Kosovës është e mbledhur në 99 kube me kupola ku secili modul ndryshon për nga madhësia. Pjesa e poshtme e ndërtesës është e mbështjellë me një rrjetë metalike, duke iu referuar traditës lokale të filigranës. Përveç se i bukur, ky objekt duket goxha i mbrojtur.
“Drejt një koncepti konkret: Arkitektura në Jugosllavi gjatë viteve 1948-1980” tërheqë vëmendjen e një ndërhyrjeje interesante të ndërtesave në një pjesë të komplikuar të botës gjatë një momenti politik të papërshtatshëm. Edhe duke lënë mënjanë armiqësitë etnike, Jugosllavia nuk funksionoi: federata e republikave nuk arriti të trajtojë, ndër të tjera, dallimet e mëdha në pasuri mes republikave – shihet mjaft qartë nëse krahasoni ndërtesat në Slloveninë e pasur industriale me ato në Maqedoninë e varfër, kryesisht agrare. Edhe pse më e hapur për bizneset private sesa shumica e vendeve tjera, Jugosllavia u shpërbë.
Ekspozita përfundon me një fragment të një filmi mbi Holokaustin e Romëve nga drejtori sllovak Robert Kirchoff. Megjithëse i referohet të kaluarës, kjo ngjarje është një pjesë shumë e rëndësishme e së tashmes./Ndërtimi.info/
