Aktuale
Deputetët e papërgjegjshëm lënë Kompleksin e Jasharajve pa ligj

Kuvendi i Kosovës as sot nuk arriti që ta shtyjë përpara Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në mungesë të deputetëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk u arrit kuorumi për votimin në lexim të dytë të tij.
Kushtrim Hajzeri
Mos-votimi i këtij projektligji po shihet si rrezik për rëndimin e gjendjes se kullave në këtë kompleks. Për shmangien e kësaj po kërkohet ndihma e opozitës, duke e votuar projektligjin.
Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu tha për Ndërtimi.info se opozita duhet të jetë më konstruktive sa i përket kësaj çështje. Ajo, ka shprehur shqetësimin që të përsëritet rasti i legjislaturës së kaluar, kur ligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” ishte kthyer në pikën zero, pasi vendi shkoi në zgjedhje.
Musliu theksoi se nuk ka pritur që projektligji nuk do të kalojë sot, duke u bazuar në diskutimet që janë bërë në Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, derisa shtoi se po rrezikohet të humbet një histori.
“Duke pas parasysh diskutimet që i kemi pas në komisionin parlamentar, kam prit që sot deputetët e VV-së dhe LDK-së nëse për asgjë tjetër nuk do të vinin në Kuvendin e Kosovës, do të vinin për këtë ligj sepse është jetike që të miratohet dhe atje të fillojë konservimi i kullave. Prandaj, çdo shtyrje e mëtejshme e këtij ligji është rrezik për vendim që ta humb një histori aq të vlefshme dhe madhore”, tha ajo.
Musliu ritheksoi se kullat po rrezikohen të rrëzohen, duke shtuar se nëse kjo ndodh vlerën e tyre nuk do ta zëvendësojnë edhe nëse ndërtohen disa të tjera.
Në mënyrë që ky projektligj të ec përpara, Musliu ka një apel për opozitën dhe propozim për seancën e së enjtes.
“Ajo që unë apelojë te partitë opozitare është edhe ata të insistojnë që kjo ikë të del e para në rendin e ditës në seancën e ardhshme, le ta votojnë dhe le të dalin. Unë konsideroj që mos-votimi i kësaj pike është mohim i historisë sonë dhe mohim i vetvetes. Nuk kisha dashtë që asnjë parti politike të jetë adresa e mohimit të historisë”, shtoi ajo.
E, atë që ndodhi sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, e ka cilësuar për keqardhje.
“Është për keqardhje që as sot nuk arriti të kalojë Projektligji për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’! Mungonin deputetët e LDK-së dhe VV-së! Natyrisht votimin e Listës Serbe as që e kemi pritur”, ka shkruar ai në facebook.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kthyer një përgjigje edhe pse është pritur më shumë se dy orë për një përgjigje zyrtare. Deputetët individualisht nuk kanë folur.
Ndërtimi.info gjatë ditës së sotme ka tentuar që të marrë një deklaratë nga LDK-ja në lidhje me këtë çështje, mirëpo ka qenë e pamundur. Pas disa përpjekjeve, prej disa deputetëve, telefonatave i është përgjigjur Driton Selmani, por që nuk ka pranuar të prononcohet për këtë temë. Ai, ka rekomanduar që të kontaktohet deputeti Armend Zenaj, por që edhe ky si pjesa tjetër e partisë ka qenë i paarritshëm.
Këtu gjeni një dokumentar nga Media Ndërtimi për Kullat e Jasharajve që janë lënë pas dore.
