Aktuale
Nuk kalon Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, mungon kuorumi
Në mungesë të kuorumit Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që të miratojë në lexim të dytë i Projektligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Edhe pse në mungesë të kuorumit Projektligji doli në votim, ku nga 66 deputetë të pranishëm, 56 votuan pro dhe një kundër, raporton Ndërtimi.info.
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, në emër të Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rura paraprakisht kërkoi që të shtyhet votimi për këtë projektligj, pasi munguan disa deputetë.
“ E kemi vizituar kompleksin dhe e kemi parë një gjendje katstrofale në mirëmbajtjen e kullave. Unë propozoj që të shtyhet për mbledhjen e ardhshme dhe të mos nxjerrim mesazh negativ që nuk po votohet projektligji”, tha ai.
Në anën tjetër deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Enver Hoti përgjegjësinë për mos-votim të projektligjit e hodhi te të gjithë deputetët.
“Është dashtë të kalojë që në herën e parë. VV dhe LDK është dashtë të jenë këtu pranë sallës dhe të futen të votojë për këtë projektligj. Është një papërgjegjësi e të gjithëve nëse nuk votohet sot ky projektligj”, deklaroi ai.
Mungesë të kuorumit për votim kishte pasi deputetët e LDK-së dhe ata të Vetëvendosjes bojkotuan seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, gjendja e kullave në Kompleksin Memorail “Adem Jashari” tash e një kohë po konsiderohet e rëndë, ku edhe rrezikohen të rrëzohen. /Ndërtimi.info/