Aktuale
Banorë të 18 fshatrave në Vushtrri protestojnë për asfalt, Qeverisë i japin ultimatum

Për herë të dytë brenda një muaji e gjysmë, banorët e zonës së Artakollit në Vushtrri kanë protestuar në kërkim të riasfaltimit të rrugës 12-kilometërshe që lidh 18 fshatra të kësaj ane.
Kësaj radhe, protesta është zhvendosur nga rruga e pashtruar, në fshatin Pestovë në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, raporton KTV.
Protestuesit bllokuan këtë aks rrugor për afro 15 minuta, duke i vënë ultimatum Qeverisë që të marrë vendimin për asfaltim deri në fund të javës së ardhshme.
Ata madje kërcënuan edhe me ndalje të fëmijëve nga shkolla, për shkak të rrezikut nga pluhuri dhe alergjitë.
Mbështetje në kërkesat e tyre, protestuesit morën edhe nga kryetari i Vushtrrisë, i cili iu bashkua atyre në protestë.
Më kërkesë të kryetarit, banorët kanë zhbllokuar magjistralen më herët se që ishte paraparë.
Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se po punojnë që diçka e tillë të bëhet, edhe pse kontrata nuk e parasheh asfaltimin këtë vit.
“Sipas kontratës, shtresa e asfaltit është e paraparë për vitin e ardhshëm, por me kërkesën e ministrit Pal Lekaj, unë jam takuar me banorët dhe jemi zotuar që nëse gjenden mjetet, shtresa e parë e asfaltit të vendoset këtë vit. Në bazë të kësaj, ne si MI kemi bërë një sugjerim, të cilin është duke e shqyrtuar Ministria e Financave dhe jemi optimistë se do të bëhet zgjidhja shpejt. E mirëkuptojmë shqetësimin e banorëve, por i ftojmë që të kenë mirëkuptim, sepse ministri Lekaj bashkë me ministrin Hamza, po bëjnë të pamundurën që shtresa e parë e asfaltit të vendoset këtë vit”, ka thënë Fatos Mani, këshilltar politik i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Në pranverë, Ministria e Infrastrukturës kishte larguar asfaltin e vjetër dhe nisur përgatitjet për asfaltin e ri, por deri tash rruga ka mbetur vetëm në zhavorr.
