Aktuale
Shqiptari që shkoi të punonte në ndërtimtari, zë vend si sulmues në Hamburg
Historia e tij e publikuar pak kohë më parë në gazetën shqiptare “Panorama Sport”, bëri xhiron e mediave në vend, teksa preku këdo që e lexoi.
Bëhet fjalë për sulmuesin Olsi Beqo, një ndër futbollistët me të mirë që qyteti i Përrenjasit në Shqipëri kishte nxjerrë ndër vite, por që fatkeqësisht u detyrua të emigrojë drejt Gjermanisë, duke lënë pas ëndrrën për futboll dhe duke nisur punë të çfarëdoshme, të cilat do ta ndihmonin të dilte nga situata e vështirë në të cilën gjenden fillimet e tyre në një vend të huaj të gjithë emigrantët.
Por edhe pse mes sakrifica dhe vështirësish, Beqos i buzëqeshi fati shpejt në Gjermani. Me ndihmën e miqve dhe shokëve, ai arrin të vihet në kontakt me një prej menaxherëve me emër në Gjermani, Xhelil Musën. Ka qenë ky i fundit, i cili i ka hapur dyert e arta Beqos në kampionatin gjerman.
Pas disa provave në ekipe të ndryshme Beqo ka siguruar një ekip në një nga ligat e ulëta gjermane duke i dhënë kështu një tjetër drejtim jetës së tij. Hamburg United është ekipi i ri i Beqos, ku bomberi përrenjasak do të vazhdojë ëndrrën e tij për të luajtur futboll dhe pse jo të pretendojë për t’u ngjitur më lart.
DEKLARATA – Është vetë Beqo, i cili në një prononcim për “Panorama Sport”, nga Gjermania ka bërë me dije ndryshimin e rrjedhës së jetës së tij. “Jeta vjen dhe kalon aq shpejt dhe ndonjëherë sa hap e mbyll sytë e gjen veten në pozita të ndryshme. Mora përsipër sfidën e emigracionit pavarësisht se e dija sesa vështirësi do të hasja.
Nuk është se më mungonin miqtë dhe shokët atje ku po shkoja, por dihej që do detyrohesha të punoja çfarëdo punë në fillim për të gjetur atë më të përshtatshmen më pas. Dhe kështu nisi. Me vështirësi u sajova javët e para ndërsa si me magji m’u shfaq menaxheri Xhelil Musa.
Me dëshirën e mirë për të më ndihmuar, në radhë të parë si shqiptarë, Musa më siguroi disa prova futbollistike në disa ekipe këtu në Hamburg, ku dhe gjeta ekipin që kërkova pas disa seancash stërvitore dhe ndeshjesh kontrolli. Hamburg United është ekipi im i ri dhe jam më shumë se i lumtur për këtë.
Se kisha menduar që në kaq pak kohë do të kisha kaq fat dhe të vazhdoja ëndrrën time në futboll, por kur zoti është në krahun tënd çdo gjë gjen rrugën e duhur. E falënderoj jashtë mase menaxherin Musa, dhe ju premtoj që shumë shpejt do të më shihni edhe më lart në kampionatin gjerman”, ka thënë Beqo, i cili është i bindur se mund të ngjisë shkallët e karrierës. /Panorama-sport.al