Aktuale
Miratohet shpronësimi i pronave të “Erenikut” në Gjakovë

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka aprovuar propozimin e bërë për shpronësimin e pronave të “Erenikut” në Gjakovë të cilat do t’i vihen në dispozicion Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane.
Këtë e ka bërë të ditur Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaji përmes një postimi në Facebook.
Postimi i plotë:
“Në Mbledhjen e 68-të të Qeverisë kemi marr vendim që Policisë së Kosovës t’u paguhen orët shtesë të punës, si e drejtë e patjetërsueshme e tyre.
Kabineti qeveritar, po sot, ka miratuar propozim ndryshimet e ligjit për financimin e partive politike, me qëllim të rritjes së transparencës dhe luftimit të korrupsionit.
Poashtu, sot është miratuar shpronësimi i pronave të “Erenikut” në Gjakovë, që t’i vihen në dispozicion Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane.
Kosova po hyn në periudhën e zbatimit të Marrëveshjes IPA 2 dhe në këtë drejtim miratuam nismën për negociimin e Marrëveshjes trepalëshe ndërmjet BE-së, Kosovës dhe Malit të Zi, për bashkëpunimin ndërkufitar Kosovë-Mali i Zi, si dhe nismën për negociimin e Marrëveshjes me Belgiiken për projektin e fuqizimit financiar.”
Propozimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme (ish-shoqërore KBI “Ereniku”), të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane”, Zona Kadastrale në Komunën e Gjakovës ishte marrë në korrik të këtij viti në mbledhjen e 56-të të Qeverisë.
