Aktuale
Edhe kompania që menaxhon rrjetin hekurudhor ‘Infrakos’ në prag të falimentimit
Ndalja e qarkullimit të trenave në relacionet Prishtinë – Pejë dhe Prishtinë – Han i Elezit nga kompania publike “Trainkos” ka sjellë në gjendje të rëndë edhe kompaninë publike që menaxhon me rrjetin hekurudhor, “Infrakos”. Këta të fundit po thonë se do të kenë vështirësi në sigurimin e pagave për punëtorët gjatë muajit gusht, shkruan sot, gazeta Zeri.
Dy kompanitë publike “Trainkos” dhe “Infrakos” janë në prag të falimentimit, pasi që nuk po mund të sigurojnë para as për pagat e punëtorëve.
Në mungesë të mjeteve për naftë, në fillim të këtij muaji menaxhmenti i “Trainkos”-it mori vendim që ta ndërpresë qarkullimin e trenave nga Prishtina për në Pejë dhe nga Prishtina për në Han të Elezit.
Por, nuk kaloi më shumë se 3 javë kur edhe kompania tjetër publike “Infrakos”, që menaxhon me rrjetin hekurudhor, paralajmëroi se nuk do të mundë t’i sigurojë pagat e punëtorëve as për muajin gusht, pasi që kompania nuk ka të hyra.
Kohë më parë përmes një hulumtimi gazeta “Zëri” kishte raportuar se kompania publike “Trainkos” do të përballet me vështirësi financiare për shkak të keqmenaxhimit dhe të mbipunësimit.
Kryeshefi i ndërmarrjes “Infrakos”, Agron Thaçi, në një intervistë për “Ekonomia Online” ka thënë se nga ndalja e qarkullimit të trenave për çdo muaj po humbin rreth 25 mijë euro. Ai ka thënë se kjo krizë e ka vënë “Infrakos”-in në një situatë aq të vështirë sa edhe pagat për 332 punëtorët nuk do të mundë t’i paguajnë për muajin gusht…