Aktuale
Komuna ndan 200 mijë euro për të “Rrugën Model”, synohet ndihma nga donatorët
Ka mbi 200 vjet dhe kjo shtëpi në pjesën e vjetër të Prishtinës tashmë ka nisur të shkatërrohet.
Banorët kanë paralajmëruar të tjerët, përfshirë edhe komunën, se objekti mund të shembet, raporton “038” në KTV.
Duke nisur nga shkallët, e deri te çatia, çdo gjë këtu paraqet rrezik.
Por, fqinjët përballë, të cilët vazhdojnë të jetojnë në shtëpinë 200-vjeçare tashmë kanë nisur rekonstruimin e objektit.
Rinovimet këtu po bëhen në kuadër të një projekti “Trashëgimia Kulturore” pa kufij dhe drejtorisë për kulturë në Prishtinë.
E tërë rruga që tashmë po quhet Rruga Model, do të marrë këtë pamje dhe është paraparë të jetë një mini-çarshi e kryeqytetit, ku ndër të tjera, ka kafiteri, lokale zejtarie e shtëpi të vjetra.
200 mijë, thotë Rugova se janë ndarë për këtë pjesë. Komuna po punon edhe në rregullimin e një pjese përreth muzeut të Kosovës dhe xhamisë së Gurit.
Ndërkohë, përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka treguar se kanë filluar punimet për renovimin e shtëpisë së familjes Safqi, në Qendrën Historike, afër Tregut të Gjelbër.
“Kjo shtëpi është në listën e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore, dhe është një nga shtëpitë e rralla tipike të fundshekullit XIX që ruan një pjesë të tipareve të banimit urban të periudhës otomane”, ka thënë Ahmeti.



