Aktuale
Gurëthyesit ‘gërryejnë’ buxhetin dhe mjedisin

Publikimi i raportit “Kapja e shtetit në Kosovë dhe Ekonomia politike e zhavorrit”, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka nxjerrë një varg keqpërdorimesh dhe degradimesh që janë shkaktuar në strukturat mjedisore nga guroret, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Investimet milionëshe të institucioneve tona në rrugë që nga paslufta kanë filluar me hov të madh. Orientimi kryesor i çdo qeverisjeje të re mbeten rrugët, por asnjëherë nuk u kushtohet kujdes dëmeve që shkaktojnë milionat e ndara buxhetore në mjedis.
Derisa në vitin 2016 janë investuar 210 milionë euro në infrastrukturën rrugore, kjo shifër në vitin 2017 është rritur në 377 milionë. Për investimet në zonat jourgjente pati reaguar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke aluduar se presionet politike për të shpenzuar në zonat jourgjente lindin nga grupe lobimi të fuqishme.
Dëmet mjedisore të shkaktuara nga zhavorri i ka sqaruar në detaje Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës, (KDI), teksa ka prezantuar raportin.
“Ndërtimi i hovshëm i pasluftës në Kosovë, i pasuar me një rritje të madhe të investimeve publike në infrastrukturën rrugore gjatë dekadës së fundit, ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në zinxhirin e vlerave të sektorit të ndërtimit, duke rritur kërkesën për zhavorr – rërë ndërtimi”, ka treguar Spahija.
Sipas tij, kjo ka çuar deri te një rritje dramatike e aktivitetit të nxjerrjes së zhavorrit nga kompanitë e ndërtimit në shtretërit e lumenjve dhe në kodrat e Kosovës, duke shkaktuar dëme serioze mjedisore e me efekte të valëzuara në ekonomitë lokale dhe në jetesë.
Por, aktivitetin e guroreve ai e ka lidhur ngushtë me kompanitë të cilat kanë vepruar me mosndëshkueshmëri të plotë dhe me mosrespektim të rregullave mundësore përmes lidhjeve të tyre politike. “Këto lidhje janë manifestuar nëpërmjet ndikimit politik në emërimet kryesore në organet rregullative dhe në mungesën e fuqizimit të mekanizmave të tjerë mbikëqyrës.
