Aktuale
Reagon Eliza Hoxha për rrënimin e objektit “Gërmia”

Debati për rrënimin apo konservimin e objektit, i cili tani është nën shfrytëzimin e Administratës Tatimore të Kosovës e dikur ishte ish-qendra tregtare “Gërmia” ende po vazhdon.
Ky objekt, i ndërtuar në të njëjtën periudhë me hotelin “Grand” e disa objekte të tjera emblematike të Prishtinës, planifikohej të adaptohej për një sallë koncertale, të cilën do ta shfrytëzonte komuniteti artistik, megjithatë në diskutim ekziston edhe opsioni i rrënimit të tij dhe ndërtimi i një objekti të ri.
Për këtë ide pati reagime të shumta nga komuniteti i arkitektëve të vendit, gjithashtu edhe nga organizata si ajo për mbrojtjen, promovimin dhe konservimin e lëvizjes moderne “DoCoMoMo Kosova”, e cila filloi një peticion kundër rrënimit të objektit.
Së fundi edhe arkitektja Eliza Hoxha ka reaguar me një postim në Facebook ku thotë se “GËRMIA është emëruesi i përbashkët që të gjithë ne jemi të njëjtë – PA DALLIM – kur na vjen interesi i ngushtë në pyetje”.
Ky është postimi i plotë:
PRISHTINA “E”SCAPE
Prishtina ka nevojë për sallë koncertesh, për muze të artit bashkëkohor, për muze të të pagjeturve, për muze të të ’90-tave, për muze historik, pêr parqe e gjelbërim, hapësira publike, art publik … Prishtina ka nevojë edhe për me ruajt e kultivu historinë e saj fizike e kulturore që historikisht është zhba e rrënu … E sot ka mbet pak, shume pak përtej n’aj kishë a xhami a n’aj shpi otomane duke ra…
Ma së shumti Prishtina ka nevojë me pas nje vizion, një trajtim si kryeqytet i vërtet i një shteti te ri që i takon të gjithëve ku interesi privat apo i grupacioneve te caktuara nuk mbizotëron mbi interesin publik.
Deri sot e kanë gllaberu, zhvesh, mveshë e keqpërdorë kushdo që ka mbërri për interesa të caktuara sa qyteti duket një pazar i madh ku secili që qohet në një mëngjes të bukur don me çnuk e me i marr dicka për qejfin a interesin e vet…ose me bo diçka e me ndërtu diçka për qejfin a interesin e vet.
U TEPRU…
Njê qeverisje kryeneqe në kohë kur në botë promovohet me gjithë agjendat planifikimi dhe zhvillimi integrues dhe me pjesëmarrje fundin e ka të hidhur. Shtoja kësaj kur krejt ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës e obligojnë pjesëmarrjen dhe transparencën në veprimet dhe vendimet për qytetin.
GERMIA është emêruesi i përbashkët që të gjithë ne jemi të njejtë-PA DALLIM – kur na vjen interesi i ngushtë në pyetje.
