Aktuale
Maratona e zhagitjes së ujësjellësit në Dragash, kryetari s’di më çka të bëjë

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ktheu hiç më pak se katër herë në Rivlerësim tenderin e ujësjellësit kryesor në Dragash, por megjithatë nuk u arrit që ky tender maratonik të marrë formë.
Pas katër këtyre anulimeve, Komuna e Dragashit, me 12 shtator e kishte publikuar njoftimin për dhënie të Kontratës. Ku për dhënie të kontratës për “Ujësjellësi kryesor-Vazhdim i punimeve (Projekt tre vjeçar)”, me vlerë 1.151.532,41 centë ishte rekomanduar grupi i Operatorëve Ekonomik N.P.T “Fanaj Inxhinjering”, “Lala” Sh.P.K.
Megjithëkëtë, zgjedhja e këtij konsorciumi nuk bëri që të zgjidhet “lëmshi” i krijuar në këtë tender. Edhe ndaj këtij konsorcium po ka ankesa në Gjykatën e Tenderëve.
Kompanitë ankuese po pretendojnë se Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Komuna e Dragashit nuk po përfillë nenet e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).
“Lëmshi” i krijuar për tenderin e ujësjellësit kryesor-vazhdim i punimeve (projekt tre vjeçar) ka bllokuar 15 fshatra të kësaj komune.
E kryetari i Komunës së Dragashit Shaban Shabani nuk po di çfarë të bëjë.
Ai i tha Ndërtimi.info se e vetmja zgjidhje më e mirë kishte me qenë nëse Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) do ta anulonte krejtësisht tenderin, dhe që me këtë tender të ofertohej me operatorë të rinjë.
“Realisht ne jemi në një pozitë të vështirë. Nuk po kemi mundësi as me anulu tenderin e me rishiku. Por neve vetëm po na kërkohet që me bë rivlerësimin me të njëjtit operatorë ekonomik që kanë ofertuar. Komisioni ka kaluar nga një operatorë që ka qenë më i liri pjesën e operatorit të dytë. Nëse ka rekomandime prej OShP-së mund të kalohet operatori tre dhe katër. Sepse realisht nuk ka procedurë se çka me vepru. Jemi në pritje të vendimit të OShP-së. Unë prej fillimit kam pas dëshirë me pas këtë mundësi. Mirëpo nuk e kam këtë mundësi, sepse, gjithnjë po kërkohet me u bërë rivlerësimi dhe jo anulimi. Po t’i kishim rekomandimet për me anulu unë me kënaqësi e kisha anuluar dhe kish me dalë tenderi i ri dhe operatorët ekonomik kishin konkuruar nga fillimi”, ka deklaruar Shabani.
Se a kanë kërkuar komuna si Autoritet Kontraktues nga OShP-ja që lënda të anulohet, meqenëse e shohin si të vetmen zgjidhje, kryetari Shabani potencon se nuk duan të implikohen në organin e pavarur.
“Ne edhe nuk po kemi drejtë në qasje sepse ata llogariten organi i pavarur dhe në një far forme vështirë me u impliku te kjo pjesa këtu . Nëse do të kish me qenë e mundshme me u anulu dhe me u ritendru po iu them se me shumë kënaqësi. Sepse ky është projekt i madh për Dragashin dhe 15 fshatrat kanë mbetur peng i këtyre procedurave. Është një situatë jashtëzakonisht e komplikuar”, potencoi ai për Ndërtimi.info
Por se gjithë kjo po vie meqë nuk po përfillën rekomandimet e OShP-së nga Komuna e Dragashit, kjo e fundit e mohon të ketë ndodhur diçka e tillë. Pasi që sipas të parit të Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, komisioni i krijuar nga ai, pikërisht për këtë tender ka përfillur rekomandimet e sugjeruar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
“Realisht OShP kur i ka dhënë rekomandimet unë i kam kërkuar komisionit që të shkojnë konform rekomandimeve. Atëherë komisioni ka vlerësuar se kanë vepruar konform rekomandimeve të OShP-së për operatorët që është vlerësuar i njëjti operator se iu janë kërkuar dokumentacion shtesë. Realisht atë dokumentacion shtesë e kanë sjellë operatorët ekonomik dhe me thënë të drejtën vendimi i komisionit ka qenë për operatorin në fjalë …në një far forme në fund ne shkresë zyrtare nga OShP nuk kemi pranuar se a është në rregull dhe ky vendim i komisionit të fundit nuk është në rregull. Ata thonë se sipas rekomandimeve të OShP-së kanë mundur me referu të njëjtin operator ekonomik edhe që është llogaritur i papërgjegjshëm. Mirëpo me thënë drejtën informata zyrtare nga OSHP nuk kam”, tha ai.
Ndërkohë, deri sa ankesat po vazhdojnë të adresohen në OShP, vendimin e kësaj të fundit po vazhdon ta pres edhe Komuna e Dragashit.
“Për fat të keq po na zhagitet që për katër vite. Kemi ankesa nga operatorët ekonomik dhe tash në të njëjtën kohë po na vjen kërkesa prej OShP-së për rivlerësim të tenderit. Ky është shqetësim i madh edhe për ne dhe për të gjithë qytetarët. Faktikisht 15 fshatra na mbesin pa ujë. Realisht e di që komisioni e ka bërë një vlerësim. Me të thënë të drejtën komisioni llogaritet që e kryen punën e pavarur , nuk ka qenë i ndikuar dhe kanë qenë të njoftuar edhe me rekomandimet që ka dhënë OShP-ja. I është dhënë edhe ofertuesit të parë dy herë, operatorit ekomomik dytë dy herë, do me thënë edhe më herët ka patur rivlerësim. Për momentin jemi në pritje të shkresës zyrtare të OShP-së, tash do të vazhdojmë me procedurën e mëtutjeshme. Prapë komisioni do ta bëjë një rivlerësim a do të duhet me qenë operatori tjetër apo çka”, përfundoi Shabani.
Ndërsa, së fundmi ankesat në OShP erdhën nga konsorciumi NNP”Ebek” & “Gashi ING”&”Vodoskok”&”Muratori” Sh.P.K. i cili pretendon se Komuna e Dragashit në dhënien e këtij tenderi nuk ka përfillur nenin 1, nenin 6 që ka të bëjë me ekonomicitetin dhe efikasitetin, nenin 7 që parasheh barazinë në trajtim/jo-diskriminim, nenin 59 bazë të cilës duhet të bëhet ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve. Po ashtu, ankuesi pretendon se është shkelur edhe neni 72, dhe neni 131.
Duke pasur parasysh që kjo kompani, ankuese tani, herën e kaluar ishte shpallur si fituese e këtij tenderi, po konsideron se Komuna e Dragashit nuk ka operuar në mënyrë ekonomike dhe të drejtë që fondet publike të përdoren duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit.
“Duke qenë se kemi dorëzuar një ofertë të përgatitur me të gjithë dokumentacionin e kërkuar në kërkesat dhe kushtet e dosjes së tenderit me një çmim të arsyeshëm për objektin e kontratës në shumë prej 1087848.66 euro. Ndërsa, oferta e shpallur fituese pas rivlerësimit me një shumë prej 1151532.41 euro, me një dallim prej 63683.75 euro, duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Dragashit” thuhet në ankesën e konosrciumit NNP”Ebek” & “Gashi ING”&”Vodoskok”&”Muratori” Sh.P.K.
Mes tjerash ankuesit thonë se Komuna e Dragashit, ka tejkaluar ofertën e tyre pa marrë veprime konkrete ligjoe me qëllim të verifikimit të saktë dhe të drejtë të dokumentacionit të ofruar në këtë aktivitet të prokurimit.
Ndërsa, ankesa e dytë vie nga konsorciumi “Puna” Sh.P.K & N.N “Infra Plus”.
Edhe ky konsorcium pretendon se Komuna e Dragashit nuk ka trajtuar në mënyrë të barabartë operatorët ekonomik që kanë ofertuar në këtë tedner.
Sipas këtij konsorciumi komuna ka bërë shkelje të nenit 1, 6, 7, 56, 59, 60.
Rikujtojmë se procedurat e prokurimit për këtë tender nisën qysh në qershor të 2017-ës.
Sipas kontratës parashihet që të bëhet pastrimi i terenit dhe shënimi i trasesë=40604.34 metra, gërmimi i dheut të kat III-VIII-87705.37 metra kub, mbushja me dheun e imtësuar=63342.77 metra kub, blerja, transportimi dhe vënia në transhe e rërës=24362.60 metra kub.
Veç këtyre parashihen punët tokësore për gypsjellësin, punët e montimit të gypave :PE=100, PN=10 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE-100, PN-16 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE=100, PN=20 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE-100, PN=30 bar dhe pjesëve lidhëse, punët e montimit të gypave: PE-100, PN=40 bar dhe pjesëve lidhëse si dhe punët e betonimit, si dhe punët elektrike.
