Aktuale
Si ngjyra po i jep identitet ndërtesave të Koresë Jugore
Zyra holandeze UNStudio ka krijuar një zgjidhje për “homogjenitetin e papërcaktuar” të ndërtesave të larta në shumë qytete aziatike duke i shtuar ngjyrë dhe modele në pjesën e jashtme.
Firma me qendër në Amsterdam ka transformuar dy blloqe të tëra urbane në Daegu, qyteti i katërt më i madh i Koresë së Jugut, duke shtuar modele të dizajnuara në mënyrë digjitale mbi fasadat e më shumë se 20 rrokaqiejve të ndryshëm.
Këto ngjyra ndihmojnë në krijimin e zonave brenda blloqeve, por gjithashtu i jep çdo rezidence identitetin e vet unik. Sipas UNStudio, shtimi i ngjyrës “jo vetëm që përforcon identitetin, por edhe karakterizon komunitetin”.
Projekti është porositur nga zhvilluesi i pronës “Hyundai Development Company”, që ka ndërtuar komplekse të kullave përgjatë Koresë së Jugut nën brendin “I Park”.
Duke u bazuar në trashëgiminë e qytetit si një prodhues tekstili, projektuesit krijuan dy sisteme të ndryshme blloqesh me ngjyra, një për secilën prej dy blloqeve urbane.
E para është e përbërë nga një “matricë” e grupeve horizontale, të dizajnuara për të trajtuar në mënyrë të ndryshme çdo dritare, derë dhe ballkon. E dyta punon në mënyrë të ngjashme, por e bën këtë me shirite diagonale të ngjyrës.
Si dhe fasadat e reja, UNStudio gjithashtu bashkëpunoi me firmën e peizazhit Lodewijk Baljon për të krijuar oborret komunale në hapësirat që rrethojnë ndërtesat, duke përfshirë zona të mëdha të mbjelljes, një pistë 400 metra, tipare ujore dhe një shteg për këmbësorë.
Nëpërmjet këtyre dy ndryshimeve, kompleksi i “Parkut I” tani po konsiderohet si një lagje që promovon identitetin dhe mirëqenien.
“Përbërja pointiliste (teknikë e ngjyrosjes në të cilën pika të vogla dhe të dallueshme të ngjyrës aplikohen në modele për të formuar një imazh) e fasadave u jep të dyja apartamenteve individuale dhe të gjithë zhvillimit një identitet të dallueshëm dhe të veçantë brenda Daegtu, ndërsa oborret e mbushura me gjelbërim janë një veçori e vetme që u ofron banorëve një jetese të sigurtë dhe të shëndetshme në nivele të shumëfishta”, tha drejtori i UN-Studios, Ben van Berkel.
Van Berkel themeloi UNStudio-n në vitin 1988 me partnerin Caroline Bos. Studio u rendit në numrin 55 në listën e Dezeen.
Edhe pse me seli në Holandë, firma ka punuar në shumë projekte të tjera në Azi, duke përfshirë një qendër tregtare në Shanghai, një kampus universitar të Singaporit dhe një kompleks banimi në Pekin.