Featured
“Edhe sa punëtorë duhet të vdesin që Qeveria ta marrë seriozisht zbatimin e Ligjit të Punës”

Në pasditen e djeshme një punëtor i moshës 53 vjeç ka gjetur vdekjen e në vendin e punës pasi që kishte rënë nga skelet gjersa ishte duke punuar. AI punonte në një ndërtesë në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Rastet e njëjta, kur punëtorët gjejnë vdekjen në vendin e punës janë shpeshtuar në Kosovë edhe përkundër thirrjeve që bëhen nga Inspektorati i Punës për inspektim më të detajuar ndaj kompanive ndërtimore.
Për vdekjen e 53 vjeçarit ka reaguar deputeti i Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se rastet e tilla më nuk janë më vdekje por vrasje në vendin e punës.
Ai veç kësaj ka shkruar se edhe sa punëtorë duhet të vendësin për ta bindur qeverinë ta marrë seriozisht zbatimin e ligjit të punës.
“Edhe një punëtor paska vdekur sot në vendin e punës. Kjo më nuk është vdekje, është vrasje në vendin e punës! Edhe sa punëtorë duhet të vdesin për ta bindur qeverinë që ta marrë seriozisht zbatimin e ligjit të punës?!”, ka shkruar Krasniqi.
Rikujtojmë që pak ditë më parë Ministri i Punës dhe Mirëqenies, Skender Reçica, ka thënë se ai nuk ka pranuar asnjë denoncim për kushte të rënda në vendin e punës. Në të njëjtën ditë ai ftoi të gjithë ata që kanë probleme në punë të bëjnë denoncime.
“Është problem shumë i madh çështja e sigurisë në punë. Realisht gjendja e punonjësve nuk është në nivelin që unë dua. Dua të them publikisht se tek unë për një vit akoma asnjë denoncim nuk ka ardhur për kushte të rënda në punë”, kështu pati deklaruar Reçica në Info Magazine ku është diskutuar për sigurinë e punëtorëve në vendet e tyre të punës, pasi vetëm brenda nëntë muajve 16-të persona që kanë vdekur aksidentalisht në punë.
