Aktuale
Punëtorët e pastrimit në UP në grevë për paga, kompania private i kërcënon me largim nga puna

Ka dy muaj që punëtorët e kompanisë për pastrim “Selmans Network”, që e mirëmbajnë Fakultetin Filozofik, nuk i kanë marrë pagat.
Për këtë arsye, ata që nga e mërkura e kanë bojkotuar punën dhe kanë hyrë në grevë, raporton KTV.
Ndonëse nuk kanë dashur të flasin para kamerës, madje as të gjirohen, punëtorët kanë parashtruar një varg ankesash ndaj kompanisë.
Kanë thënë se pa i marrë pagat nuk e kanë në plan të pastrojnë, pavarësisht që në këtë periudhë fakulteti është mjaft i frekuentuar.
Drejtori i kompanisë, Kujtim Selmanaj, i ka thënë se pagat i ka vonuar vetëm 9 ditë për 12% të punëtorëve të kompanisë.
Mirëpo, ai ka kërcënuar të gjithë grevistët se do t’i largojë nga puna.
“Grevën e konsiderojmë të paligjshme dhe sot e kemi njoftuar Inspektoratin e Punës lidhur me veprimet, të cilat do t’i marrim, veprime këto që mund të çojnë deri në shkëputje të kontratës sepse kjo grevë pengon procesin e punës dhe dëmton imazhin e kompanisë”, ka thënë Kujtim Selmanaj.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, e cila e ka kontraktuar kompaninë “Selmans Network”, nuk kanë qenë të qasshëm për t’u prononcuar në pyetjet se çfarë masash mund të ndërmarrë MASHT’i në raste të tilla.
Në anën tjetër, punëtorët grevistë, të hënën, janë përballur edhe me policinë, pasi që kompania ku ata punojnë ka sjellë punëtorë të tjerë për t’i larguar mbeturinat në Fakultetin Filozofik.
