Aktuale
Investimet e huaja pritet të bien në Shqipëri

Megjithëse Shqipëria ka adoptuar prej kohësh një legjislacion liberal, veçanërisht sa u takon investimeve të huaja në vend, i mbështetur në parimin e mosdiskriminimit ndërmjet investitorëve vendas dhe të huaj, investimet ende janë larg pritshmërisë së ndikimit në ekonominë e vendit.
Investimet e huaja në Shqipëri janë kryesisht të përqendruara në ndërtimin e veprave të rëndësishme energjetike, si gazsjellësi TAP, hidrocentralet në kaskadën e Devollit, në sektorin e nxjerrjes së naftës, ndërkohë që edhe sektori financiar është një kontribuues i rëndësishëm, falë injektimeve të kapitalit nga aksionarët e bankave të huaja, shkruan sot “Koha Ditore”.
Më tej investimet shtrihen në sektorin e telekomunikacionit (call center), apo të fasonëve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit investimet e huaja kishin vlerën e 291 milionë eurove. Kjo shifër është afro 47% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe ndjek ecurinë pozitive të vitit 2017, kur prekën vlerën e 970 milionë eurove. Megjithëse, investimet e huaja direkte(IHD) në Shqipëri kanë pësuar rritje gjatë viteve të fundit, në muajin tetor 2017, Banka Botërore, në një projeksion të fundit për Shqipërinë thekson se investimet e huaja direkte do të përfshihen në një trajektore rënëse që këtë vit dhe për të vijuar kështu të paktën deri në vitin 2019. Sipas Bankës, këto investime do të arrijnë në 8.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2017, nga 8.7 për qind që ishin në 2016-n. Ndërsa, në vitin 2018 nuk pritet të jenë më shumë se 7 për qind e PBB-së dhe në 2019-n do të jenë 5.6 për qind e PBB-së. Në vlerë absolute investimet e huaja pritet të bien me 22%.
