Aktuale
Tensione në Jalë për shembjen e objekteve pa leje

Policia ka shoqëruar forcërisht disa banorë të Jalës, 8 prej tyre anëtarë të një familje. Ata janë marrë me furgon policie dhe janë dërguar në komisariat.
Edhe pse nuk ka pasur përplasje me policinë dhe banorët kanë qenë të pozicionuar në një distancë të konsiderueshme nga fadroma e IKMT, policia e ka para të arsyeshme si duket të bëjë largimin e tyre.
Ata janë marrë me forcë, duke u tërhequr zvarrrë drejt mjetit të policisë. Mes të shoqëruarve edhe një vajze minorene 14 vjeçare.
Banori: Na futi në furgon të gjithëve si familje. Vinë në mënyrë misterioze. Kërkojmë ndihmë nga Ambasada amerikane, OSBE. Nuk dimë ku të kërkojmë ndihmë, jo tek ky shtet se po na burgos. Policia po i merr dhe i fut në furgon pa asnjë arsye. Zoti Ambasador na ndihmoni! Po na provojnë. Duan të na marrin pronën dhe të na burgosin. Bravo Edi Rama.
Bëhet fjalë për një mosmarrëveshje mes banorëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes mbi pronësinë e tokës, ku dy palët thonë se disponojnë dokumentat. Nga ana tjetër ALUIZNI i ka skualifikuar objektet si ndërtime pa leje.
Gazetarja jonë në Vlorë, Jerola Ziaj, na informon se IKMT ka përfunduar tashmë shembjen e objektit dy katësh.
Ora 11:06 Banorët rezistencë, por fadromat e IKMT shembin banesat
Policia ka shoqëruar forcërisht 10 banorë të Jalës. Ata janë marrë me furgon policie dhe janë dërguar në komisariat.
Nën thirrjet “ordinerë, kriminelë, vrasës, hajdutë” të banorëve të revoltuar të Jalës, IKMT ka vijuar aksionin për shembjen e ndërtesave të klasifikuara ndërtim pa leje nga ALUIZNI.
Fadrodoma e IKMT po vijon shembjen e një objekti dy katësh.
Ndërkohë banorët i ndan me IKMT kordoni policor i stacionuar prej mëngjesit, për të shmangur çdo kontrontim.
Drejtori i IKMT thotë se kanë njoftuar konform ligjit banorët për boshatisjen e banesave por ata kanë refuzuar të marrin njoftimin.
“Ka ardhur grupi i inspektimit para 15 ditësh dhe u ka kërkuar dokumentacionin e objekteve, i kanë refuzuar në mënyrë kategorike. As nuk kanë pranuar të dorëzojnë dokumentacion as nuk kanë pranuar të marrin dokumentacion, pra njoftimin për lirimin e objekteve. Është marrë një vendim prishje, është urdhër pune, ne jemi konform ligjit.Ndërtimet për ne janë të jashtëligjshme sepse janë refuzuar nga ALUIZNI që në datën 15 korrik, kanë pasur kohë për të vazhduar më tej me procedurat”.
Ora 10:24 “Edi Rama, ti nuk je Jezu Krishti!
Situata në Jalë është tejet e tensionuar. Banorët e irrituar duke e krahasuar Ramën me Millosheviçin, thonë se po i nxjerrin me dhunë nga prona e tyre.
Banorja: Më mirë të na kishin vrarë, të na kishin hedhur mina si Millosheviçi në Kosovë.Amani më çoni në një shtet tjetër, mos më lini me këta kriminelë.
Ata i bëjnë thirrje Ministrit Bushatit që sipas tyre është duke kërkuar trojet e tjera të Shqipërisë të shkojë atje dhe të shohë padrejtësinë që u bëhet banorëve të kësaj zone.
Banorët vazhdojnë të protestojnë para kordonit të forcave policore që është vënë barrikadë para mjeteve të IKMT.
Banorja: Ti nuk je Jezu Krisht Edi Rama, je ISIS me dashje jo pa dashje. Në emër të Perëndisë të mallkoj, të lidh, të shkatërroj. Unë jam e fortë sepse kam frymën e Perëndëisë. Ne jemi Jezu Krishta por ti ku do vesh në ferr.Unë të vë biblën sot havale dhe gjakun e Krishtit. Ti ke shkelur mbi gjakun e Krishtit.
Banori: Nuk e kemi me vjedhje, nuk e kemi me grabitje, nuk e kemi me prostitucion, nuk e kemi me drogë, nuk e kemi me krime, nuk kemi vjedhur, nuk kemi shantazhuar, nuk kemi shkatërruar njeri. I kemi me djersën e ballit. I kemi me punën 24 orë në 24. Çfarë na bëni! Pse bëhet luftë ndaj njerëzve, ndaj fëmijëve, ndaj të rinjve që ti lënë rrugë siç i kanë lënë në dete, kanale djemtë e Shqipërisë, djemtë e vendit. Pse bëhet ky krim monstruoz, duke shkatërruar pronën, djersën, duke shkatërruar jetën.
IKMT ka ndërhyrë në një objekt dykatësh njësi shërbimi edhe pse pronarët nuk kishin zhvendosur gjërat që kishin në një minimarket në katin e parë apo objektet elektroshtëpiake që kishin në shtëpitë e tyre. Kanë ndërhyrë dhe pse shtëpia ka qenë e pa boshatisur.
Ora 10:15 Deputetët e PD-së, drejt Jalës në mbështetje të banorëve
Deputetët demokratë për qarkun e Vlorës, Nada Mecorapaj dhe Agron Shehaj, janë nisur drejt Jalës për të kundërshtuar prishjen e banesave të banorëve, që sipas tyre bëhet për interesa të klientëve të Ramës.
PD dënon qëndrimin e Edi Ramës kundër interesit të banorëve të Jalës në favor të interesave të tij private.
Ora 10:00 IKMT: Aksioni mbyllet sot!
Vijon rezistenca e banorëve të Jalës që kundërshtojnë me forcë prishjen e objekteve që ka parashikuar të shembë IKMT, kjo edhe për ti hapur rrugë zgjatimit të plotë të shëtitores së Jalës.
Forca të shumta të rendit janë stacionuar në zonë që prej mëngjesit në mbështetje të IKMT.
“IKMT ka ndërhyrë në një objekt duke e shembur pjesërisht. Por në këto momente nuk po vazhdojnë me itensitet” raporton gazetarja jonë Jerola Ziaj.
Megjithatë nga komunikimet që gazetarja e Ora News ka pasur me IKMT, thuhet se ata janë të vendosur për të përmbyllur sot aksionin që pritet të finalizohet me prishjen e 9 objekteve në zonën e Jalës në Himarë.
09:00 IKMT për aksionin: Kemi njoftuar banorët
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit thotë se ka nisur sot prishjen e nëntë objekteve të ndërtuara në zonën e Jalës.
Objektet me siperfaqe të ndryshme dhe me lartësi një dhe dy katëshe, kanë pasur funksione shërbimi, kryesisht në hoteleri.
IKMT thotë se objektet janë të paligjshme dhe se kanë njoftuar banorët për boshatisjen e tyre
“Aksioni i IKMT ka nisur pasi më parë për këto objekte është bërë proçesi i skualifikimit nga ana e institucionit të ALUIZNI-it duke u trajtuar si ndërtim i paligjshëm. Pavarësisht kësaj, sërish IKMT ka bërë njoftimet sipas ligjit. IKMT ka qenë e mbështëtur edhe nga policia e shtetit në këtë aksion”
Ora 08:45 Aksioni i IKMT nis me tensione në Jalë, banorët: Dhomat janë ende me pushues!
Ka nisur mes tensionesh aksioni i IKMT për shembjen e ndërtesave pa leje në Jalë. IKMT ka nisur shembjet në gjirin e Jalës sipas një programi të parashikuar për në muajin shtator, ku pritet shembja e 9 godinave, ndër to lokale dhe banesa.
Por banorët e zonës janë ngritur në këmbë, duke kundërshtuar shembjen e banesave. Ata pretendojnë se janë me dokumenta të rregullta dhe se çështjen e kanë apeluar edhe në gjykatë dhe janë ende në proces.
Banorët thonë se nuk janë paralajmëruar për nisjen e shembjeve sot dhe për më keq, dhomat e dhënë me qera i kanë ende me pushues.
“I kemi bërë me gjak”.
” Asnjë lloj dokumentacioni, këta janë të gjithë kriminelë nga i pari tek i fundit (u drejtohet policëve)”.
“Nuk mund ta marrë Edi Rama pronën tonë”.
Në zonë kanë zbarkuar forca të shumta të policisë vendore të Vlorës, RENEA dhe FNSH. Banorët vijojnë rezistencën dhe herë pas herë janë përplasur me policinë.
Aksioni i IKMT-së për momentin ka mbetur pezull.
