Aktuale
Prizreni mban fjalën, rrënon objektet pa leje në hekurudhë

Objektet montazhë, kasolla e kubëza që kishin zënë vend në hapësirat e Hekurudhave të Kosovës në Prizren brenda disa ditëve nuk do të shihen më aty. Kjo pasi që Drejtoria e Inspektoratit në Prizren ka filluar që t’i rrënojë për t’ia liruar kështu hapësirën pronarit të ligjshëm “Infrakos”it, shkruan Ndërtimi.info
Aksioni ka vazhduar sot gjatë gjithë ditës, ani pse inspektorati atje hasi në rezistencë të banorëve që kishin uzurpuar ato prona.
Por edhe përkundër kësaj Drejtori i Inspektoratit në Prizren Islam Thaçi për Ndërtimi.info se ka treguar se me punë kanë arritur që të largojnë hapësirat.
Aksioni i sotëm erdhi pas marrëveshjes që Komuna e Prizrenit bëri me “Infrakosin”.
“Shumica e evidentimeve që kemi bërë deri tash në këto hapësirë kanë të bëjë me kubëza, me objekte montazhë, kasolle e të ngjashme. Shumica janë të afaristëve të ndryshëm që kanë hap lokale aty. Ka pas rezistencë por me vazhdimin e punimeve është hek rezistenca. Pra, siç thash janë ndërtime të platove të ndryshme me kubëza me asfalt”, tregoi Thaçi.
Ndërkohë ende nuk është vendosur për ndërtesat që janë në afërsi të binarëve.
Siç tregoi Thaçi, ndërtesat aty kanë leje ndërtimore por që ish-zyrtarë të Komunës së Prizrenit nuk kishin marrë parasysh trajtimin e Ligjit për Hekurudhat e Kosovës që e ndalon vijën ndërtimore 25 metra prej binarëve.
“Nëse bëhet fjalë për ndërtimet e larta janë në pronë të vetën por aty ekziston një problem se përshkak se kur janë dhënë lejet ndërtimore, hapësirat pra komplet ajo zonë është trajtuar në planin zhvillimor, jo me planin e hollësishëm. Ish-zyrtarët kanë bërë shkelje ligjore. Kur janë dhënë lejet nuk kanë pas parasysh trajtimin e Ligjit për Hekurudhat që ndalon vijën ndërtimore 25 metërshin prej binarëve”, potencoi Thaçi.
Për gjitha këto raste, “Infrakos” iu është drejtuar Prokurorisë. E që sipas raportit të kryeprokurorit atje bëhet fjalë për 18 aktakuza, ndërsa 39 raste tjera janë në trajtim e sipër, kështu ka bërë të ditur Thaçi.
“Për gjitha këto raste “Infrakosi” i ka të denoncuar, i kanë iniciuar rastet në prokurori dhe për të gjitha këtu do të marr vendim Gjykata. Sipas raportit që ka dhënë kryeprokurori bëhet fjalë për 18 aktakuza gati. Ndërsa edhe 39 raste tjera janë trajtim e sipër”, tregoi Thaçi.
Ndryshe, aksioni ka filluar nga stacioni hekurudhor në Prizren për të vazhduar më pas në drejtim të lidhjes të autostradës.
Aksioni do të vazhdoj deri në lirimin e hapësirave të pronave.
Zbatimin i pikës së 11 të marrëveshjes për lirimin e hapësirave të uzurpuara që janë në pronësi të hekurudhave të Kosovës, është arritur mes kryetari të Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe kryeshefi ekzekutiv i “Infrakosit” Agron Thaçi.
Javë më parë kryeshefi ekzekutiv i “Infrakosit”, Agron Thaçi, ka përkujtuar se hekurudhat janë aset kombëtar, porse ato kanë degraduar në Prizren që nga paslufta me intensitet të shtuar nga viti 2004.
