Aktuale
Përurohet shkolla “Kosova”, Rama: Arsimi drejt transformimit rrënjësor

Shkolla “Kosova” hapi dyert sot për 600 nxënës. Në ceremoninë e përurimit të saj ishin kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.
Në fjalën e mbajtur kryeministri Rama deklaroi se transformimi në sistemin arsimor ka nisur dhe jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në procesin e mësimdhënies.
“Fillimi i këtij viti me librat falas për fëmijët në nevojë dhe ata të klasës së parë deri të katërt, është një nga shenjat e një transformimi rrënjësor që nuk është thjesht të infrastruktura, por të tekstet, mësuesit dhe e gjithë mënyra si ndërtohet programi i shkollës.
Bashkë me Bashkinë e Tiranës do të fillojmë projektin e 17 shkollave të reja. Janë 17 shkolla që tani më janë në fazën finale të zbatimit të kontratave, të projektuar nga arkitektë të mëdhenj të huaj”, deklaroi Rama.
Ministrja Nikolla uroi një vit të mbarë shkollor për të gjithë nxënësit dhe inkurajoi mësuesit që të vijojnë të bëjnë punën e tyre me pasion dhe përkushtim.
“Sot kemi 600 nxënës dhe 26 mësues tek kjo shkolle. Ajo që e bënte të veçantë shkollën Kosova ishte stafi pedagogjik, ku shumë mësues ishin mentorë. Një mesazh për të gjithë mësuesit, pa pasionin e mendjes dhe dashurinë e zemrës këto mbeten vetëm mure. Në shkollë të rikonstruktuara apo jo ne duhet të fillojmë me urimin më të mirë. Vijoni të falni nga pasioni juaj. Ne do t’i përmbushim të gjitha sfidat. Ju nuk jeni vetëm. Forca!” u shpreh Nikolla.
