Aktuale
PSD reagon pas aksidentimit të 4 punëtorëve: Duhet të inspektohet edhe Inspektorati i Punës

Partia Socialdemokrate ka reaguar pasi që 4 punëtorë në Ferizaj, gjatë ditës së djeshme, u rrëzuan nga lartësia e objektit ku po punonin, duke pësuar lëndime të rënda. PSD ka ftuar organet përgjegjëse që urgjentisht ta monitorojnë zbatimin e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Sigurinë e Shëndetit në Punë.
“Edhe katër punëtorë e pësojnë në vendin e tyre të punës. Rasti që ndodhi dje në Ferizaj, ku 4 punëtorë ndërtimtarie ranë nga lartësia në objektin në të cilin punonin, nuk është i veçantë. Fatkeqësisht, këso raste kanë filluar të bëhen të zakonshme në Kosovë. Vetëm në 6 vitet e fundit, 61 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës. Partia Socialdemokrate fton organet përgjegjëse; Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Inspektoratin e punës, të sigurojnë urgjentisht zbatimin dhe monitorimin në përpikëri të Ligjit të Punës dhe të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, thuhet në reagimin e PSD-së.
Sipas PSD-së, Inspektorati i punës duhet të inspektohet lidhur me punën e tij edhe kundrejt punëdhënësve të cilët nuk po i zbatojnë dispozitat ligjore në fuqi për t’i siguruar punëtorët në vendin e tyre të punës.
“Mos sigurimi i kushteve bazike të sigurisë në punë flet zëshëm për trajtimin e punëtorëve në Kosovë. Punëtorët, veçanërisht ata në sektorin privat, punojnë në kushte shumë të vështira, për një pagë minimale, me orar të tejzgjatur, pa pushim të merituar dhe pa kurrfarë sigurie”, thuhet tutje në reagim.
PSD vlerëson se vdekjet dhe lëndimet nga aksidentet janë pika kulmore të një keqtrajtimi dhe shfrytëzimi të përditshëm.
Sipas saj, kjo nuk duhet lejuar.
“Prandaj është e rëndësishme që Inspektorati i punës ta ketë numrin e nevojshëm të inspektorëve dhe ta ketë vendosmërinë për të siguruar zbatimin e ligjit. Institucionet publike duhet t’u dalin në krahë punëtorëve dhe të drejtave të tyre”, thuhet në fund. /Periskopi/
