Aktuale
Fillon aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” në organizimin e KAWA Group
Edhe zyrtarisht ka nisur aksioni ta pastrojmë Kosovën, i cili po zhvillohet në 35 komuna dhe në të cilin po marrin pjesë mbi 100 mijë persona.
Aksionit iu kanë përgjigjur përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare në Kosovë. Ai nisi në deponinë më të madhe në Prishtinë, e cila do të bëhet park për fëmijët.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se po e nisin aksionin për ta pastruar Kosovën, pasi për dy dekada është gjuajt mbeturina në gjithë vendin.
Edhe organizatori i pastrimit të deponisë ilegale më të madhe të mbeturinave në Prishtinë, Valon Vataj, pronar i KAWA Group, ka thënë se gjithmonë janë të gatshëm të ndërmarrin aksione të tilla dhe të ofrojnë një shembull për të gjitha kompanitë e tjera që të marrin pjesë në të mirë të shoqërisë.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bëhen pjesë të këtij aksioni.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, tha se institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës po dëshmojnë se janë në përkrahje të iniciativave për mjedisin dhe pastërtinë, por në radhë të parë të kemi një jetë të qëndrueshme.
Luan Hasanaj nga “Let’s do it Kosova”, tha se Kosova është ndër shtetet që e ka organizuar më së miri ditën e pastrimit pasi gjithë ky mobilizim është model për shumë vende në rajon dhe Evropë.



