Aktuale
Sot kujtohet djegia e Shtëpisë së Bardhë
Më 24 gusht të vitit 1814, trupat ushtarake britanike dogjën rezidencën e presidentit amerikan, e cila në atë kohë nuk njihej ende me emrin Shtëpia e Bardhë. Përveç, Shtëpisë së Bardhë trupat britanike kishin djegur edhe shumë ndërtesa të tjera qeveritare në Washington.
Pushtimi dhe djegia e kryeqytetit përfaqësonte humbjen më serioze që pësuan Shtetet e Bashkuara në luftën e vitit 1812 me Anglinë, transmeton Koha.net.
Këto zhvillime ishin rezultat i konflikteve lidhur me lirinë e ujërave detare. Britanikët ishin në luftë me francezët dhe po u prisnin rrugën anijeve tregtare amerikane, të cilat mendohej se dërgonin mallra në Francë.
Kur anijet e Marinës Mbretërore ndalonin anije amerikane, nganjëherë ata i detyronin anëtarët e ekuipazhit amerikan të bashkoheshin me Marinën Britanike. Kishte raste kur sekuestrohej ngarkesa e anijes, megjithëse mund të mos ishte nisur për në Francë.
Qeveria amerikane tha se akte të tilla përbënin shkelje të lirisë së përdorimit të ujërave detare dhe u angazhua në luftë për të mbrojtur anijet tregtare amerikane si dhe lirinë e lëvizjes së anijeve amerikane në rrugët detare.
Lufta e vitit 1812 zgjati deri në nënshkrimin e një traktati për paqe në dhjetor të vitit 1814, i cili u ratifikua nga Senati Amerikan në shkurt të vitit 1815.
Sipas kushteve të traktatit, secila palë do të tërhiqej nga territoret e pushtuara dhe çdo gjë do të kthehej pak a shumë në gjendjen e para luftës. Pas përfundimit të luftës ndërmjet Britanisë dhe Francës, mosmarrëveshjet që kishin çuar në shpërthimin e luftës së vitit 1812, u fashitën./Ndertimi.info/