Aktuale
Katet e larta të banesave në Lipjan, tash një muaji pa ujë të pijshëm

Banesat kolektive nëpër kate të larta në Lipjan prej më shumë se një muaj po përballen me mungesë të ujit të pijshëm, të cilat furnizohen nga kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina”.
Ndërkaq banorët në katet e larta nëpër objekte kolektive kanë kritikuar komunën e KUR “Prishtina” me arsyetim se për çdo vit gjatë sezonit veror po përballen me telashe të tilla, shkruan sot “Koha Ditore”.
Rreth kësaj çështjeje të matën, nëpërmjet një shkrese ka reaguar edhe OJQ “YAHR” e cila monitoron zhvillimet në Komunën e Lipjanit. “Gjatë periudhës së fundit kohore kemi pranuar dhjetëra ankesa nga banorët e Lipjanit të cilët banojnë nëpër kate të larta banesore. Këta banorë si çdo vit tjetër po përballen me mungesë të ujit të pijshëm, megjithëse janë taksapagues të rregullt ndaj kompanisë së ujësjellësit rajonal “Prishtina”.
Nga ana tjetër Elmi Bublica, menaxher në KUR “Prishtina” në Lipjan, ka thënë se katet e larta banesore gjatë sezonit veror po përballen me mungesë të shtypjes së ujit për shkak të kapaciteteve nga rezervari i ujit i cili i furnizon njëkohësisht edhe fshatrat përreth qytetit. Sidoqoftë, ai këtë vit e cilëson më të suksesshëm në krahasim nga e kaluara.
Ai nuk ka dhënë detaje më shumë se kur mund të përmirësohet gjendja e furnizimit për katet e larta nëpër objekte banesore.
Ilir Tasholli, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit, ka thënë se në të ardhmen Komuna do të angazhohet me kompaninë e ujësjellësit për hapjen e puseve të reja në mënyrë që të gjithë banorët e Lipjanit të kenë furnizim të rregullt me ujë të pijshëm…
