Arkitekturë
Dizajni i terminalit të aeroportit në Bangkok dyshohet të jetë plagjiaturë

Arkitekti i njohur tajlandez, Duangrit Bunnag po përballet me akuza se në projektin e tij për ndërtimin e terminalit të aeroportit në Bangkok, ka kopjuar punën e Kengo Kumas.
Drejtori i Konsorciumit DBALP, Duangrit Bunnag javë më parë kishte fituar konkursin ndërkombëtar për dizajnimin e terminalit të aeroportit “Suvarnabhumi”, pasi diskualifikoi kompaninë SA Group, shkuan Arch Paper, transmeton Ndërtimi.info.
Menjëherë pas shpalljes së fituesve, komentuesit në rrjetet sociale filluan t’i vënë në pah ngjashmëritë e habitshme në mes të propozimit të DBALP-së dhe Muzeut të Urave, të dizajnuar nga Kengo Kuma.
Komentues të tjerë argumentonin se as projekti i Kumas nuk ishte origjinal, por ishte rrjedhimisht i inspiruar nga teknikat tradicionale të ndërtimit në Azi, duke përmendur pavijonin e He Jingtang të Kinës, të ndërtuar në vitin 2010 dhe pavijonin e Japonisë, Tadao Ando, të ndërtuar në vitin 1992, si shembuj të ndërtimeve të ngjashme.
Projekti i Kengo Kuma-s
Në një intervistë për ‘The Standard’, Bunnag mohoi akuzat, duke u shprehur se dizajni i tij ishte frymëzuar nga pyjet e Tajlandës.
“Nuk e kam kopjuar punën e askujt tjetër. Ata që ndjekin punën time e dijnë se unë inspirohem nga projektet e mija të mëparshme, si për shembull hoteli në Sri Lanka “, tha Bunnag.
Këshilli i arkitektëve të Tajlandës (ACT) propozon që kjo çështje të shkojë në hetim zyrtar.
“Nëse ky rast provohet të jetë plagjiaturë, licenca e arkitektit do të pezullohet, ndërsa dizajni i tij fitues do të shpallet i pavlefshëm”, u shpreh drejtori i këshillit të arkitektëve Thanit Kittiampon, gjatë një konferenceje për shtyp.
Kengo Kuma ende nuk ka komentuar pretendimet se puna e tij është kopjuar.
Nëse propozimi i DBALP vërtetohet se nuk është plagjiaturë, ndërtimi i terminalit 348,000 metra katror do të fillojë në vitin 2019 dhe është planifikuar të përfundojë brenda 30 muajve.
