Aktuale
“Trepça” në prag të falimentimit

Kombinati metalurgjik “Trepça” aktualisht po përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit, me nivel të ulët të prodhimit dhe me mos menaxhim të duhur. E gjithë kjo situatë, thuhet se po sjell ndërmarrjen në krizë dhe afër falimentimit.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka probleme në kombinatin metalurgjik “Trepça” dhe kjo do të vazhdojë edhe për një kohë.
“Momentalisht ‘Trepça’ po kalon në një periudhë të vështirë. Ka problem me prodhim, ka probleme me kapacitete prodhuese, ka probleme me menaxhim, ka probleme me sindikatë. Edhe pse jemi mundur dhe kemi shikuar mundësitë e kapaciteteve prodhuese, por kjo nuk po ndodh në mënyrë të kënaqshme”, thotë Lluka.
Lluka shton si u kanë dhënë mundësitë menaxhmentit të “Trepçës” që së bashku me sindikatën t’i rishikojnë vendet e punës, që të lëvizin një pjesë të stafit nga ato pozita që janë të ndryshme dhe në mënyrë vullnetare t’i fusin në minierë, pasi që siç thotë Lluka ‘sa më shumë punëtorë në minierë rezulton edhe me rritje të prodhimit’.
Afër dy vjet që nga miratimi i Ligjit për “Trepçën”, ende nuk janë përmbyllur të gjitha procedurat për fillimin e rimëkëmbjes dhe zhvillimin e kombinatit.
Kjo ndërmarrje, nënvizoi ministri Lluka, është duke kaluar në procese të shumta ligjore dhe se beson që në muajin tetor të kalojë miratimi i statusit të “Trepçës” në Kuvendin e Kosovës dhe të regjistrohet si shoqëri aksionare.
