Aktuale
Filloi ndërtimi i “BOREA”-s nën lotë e emocione, përfundon pas 5 vjetësh [video]

Gjithçka ishte bërë gati te ish-kazerma e ushtrisë në Pejë. Po fillonin punimet për Resortin Turistik “BOREA”.
Raporton: Uran Haxha
Organizatorët prisnin udhëheqësit politik që të vinin. Aty erdhi kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri me ish-ministrin Kujtim Shala, për t’iu bashkuar përfaqësuesve të konzorciumit “Filav” dhe “Leitner”.
Edhepse sipas organizatorit, ishin ftuar të gjithë udhëheqësit e vendit, përfshirë edhe ministrat, askush nga Qeveria Haradinaj nuk u duk aty.
Megjithatë eskavatori filloi rrënimin e një objekti, si fillim të punimeve për “BOREA”-n.
Përfaqësuesi i konzorciumit, Franc Alain Furlani, foli para të pranishmëve me gëzim për këtë projekt që po fillon dhe tregoi për 55 milionë eurot që do investohen.
“Ne tani jemi në fazat e para ndërtimit. Deri tani, më shumë se një milion euro janë investuar në studimet e projektimit. Resorti BOREA do të ketë një rëndësi të madhe në zhvillimin e turizmit jo vetëm për rajonin e Pejës, por për të gjithë Kosovën”, tha Fulani.
E kur i erdhi radha që të flasë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ai nuk mundi deri në fund t’i përbahet lotëve. Ai tha se kjo është një ëndërr që po kthehet në realitet, për t’i dhënë jetë qytetit të Pejës.
“40 vjet janë dy breza që kanë ëndërruar për ta realizuar një projekt. Një projekt që ndoshta është i vogël, por ka qenë një ëndërr e madhe. Një vizion që këtij qyteti t’i jep jetë”, ka thënë Muaxheri.
Eskavatori bënte lëvizjet për fillimin e ndërtimit të Resortit Turistik “BOREA”, e në anën tjetër, kryetari Gazmend Muhaxheri nuk ishte qetësuar ende nga gëzimi dhe lotët.
Projekti, sipas asaj që ka marrë vesh Media Ndërtimi, në tërësi do të zgjasë deri në 5 vjet.
