Aktuale
Nxënësit e “Hamëz Jasharit” vazhdojnë mësimin në objektin e viteve të ’60-ta
I vendosur në njërin nga objektet më të vjetra të qytetit, gjimnazi “Hamëz Jashari” në Skenderaj do ta vazhdojë edhe këtë vit shkollor në ndërtesën gati 60-vjeçare.
Mungesa e kabineteve, vjetërsia e banjave e dritaret e pandërruara që nga ndërtimi në fund të viteve të 60-a, do ta shoqërojnë këtë gjimnaz deri në vitin 2019, raporton KTV.
Rinovimet e vogla nuk e përmirësojnë më gjendjen e këtij objekti. Selim Tahiri, drejtor i gjimnazit, ka thënë se po pret të dalin në objektin e ri tash e 3 vjet.
Kjo nuk është hera e parë që Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë i premton gjimnazit “Hamez Jashari” dalje në objekt tjetër.
Ndërtimi i objektit të ri ka filluar në qershor të vitit 2013 dhe ka qenë i paraparë të përfundojë në vitin 2016. Kompania kontraktuese “R&Rukolli”, ka ndërprerë punimet në mungesë të investimeve nga MASHT-i.
Bekim Latifi, drejtor i Drejtorisë Komunale për Arsim në Skenderaj, ka thënë se MASHT-i i ka premtuar komunës investim për vazhdimin e ndërtimit të objektit të ri.
Ashtu si shumica e institucioneve arsimore në Kosovë, ky gjimnaz ka filluar sot vitin e ri shkollor 2018\2019 dhe 25 paralele do ta vijojnë mësimin në këtë objekt tashmë 50 -vjeçar, ndërsa Drejtoria dhe Komuna shpresojnë se ndërtimet në objektin e ri do të vazhdojnë dhe këtë herë do të mbahen premtimet e MASHT-it.




