Aktuale
Mosasfaltimi i rrugës nxjerrë sërish në protestë ferizajasit

Sërish nesër banorët e fshatit Bablak, Lubovc e Tërrën do të protestojnë për mos-asfaltimin e rrugës 3.5 kilometërshe që ishte premtuar nga vetë ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj në muajin prill të këtij viti.
Për protestën që do të mbahet nesër ka njoftuar deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri.
Ai ka ftuar qytetarët e Ferizajit që të mblidhen në magjistralen Babush- Ferizaj. Sipas tij asfaltimi i kësaj rruge është premtuar për 18 vjet radhazi nga qeveritë por që deri më tani nuk është realizuar.
“Nuk kam se si t’a kjartesojë ndryshe më këtë kërkesë të banorëve. Pa anime politike, për demokraci të gjithë në rrugë vetëm e vetëm që ta kuptojnë të gjithë se për interesa qytetare jemi të gjithë UNIK. Unë nuk jam as qyqarë e as njeri që vrapoj pas meritav, unë vrapoj me vepra për qytetarët tanë që gjithmonë i kanë meritat.”, ka shkruar ai në Facebook.
Siç ka bërë të ditur Tahiri, protesta do të mbahet nesër në ora 12:00.
E banorët të shtunën e kaluar (25 gusht) bllokuan magjistralen Prishtinë-Ferizaj për 30 minuta.
Protestuesit përmes mbishkrimeve në pankarta që kishin, kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen deri në realizimin e projektit të premtuar nga Lekaj.
Lënien pas dore të kësaj rruge e kishte quajtur absurde deputeti Tahiri, në praninë e të cilit Lekaj edhe ua kishte premtuar këtë projekt banorëve të asaj zone.
“Ne nuk jemi aspak për të bllokuar rrugët, por për t’i zhbllokuar ato. Mirëpo fakti që kjo rrugë është lënë pas dore është absurde”, deklaroi deputeti Labinot Tahiri, si njëri prej organizatorëve të kësaj proteste.
Kurse, fajin për zvarritjen e mos nisjes së punëve në këtë rrugë, Ministria e Infrastrukturës e ka hedhur te procedurat e prokurimit.
Shefi i Kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës, Argjend Zejnaj ditë më parë ka thënë se këto ankesa nga banorët janë më të drejtë, mirëpo sipas tij asfaltimi i tyre po mbahet peng i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
“Ashtu siç edhe është premtuar me 10 prill 2018 nga ministri Pal Lekaj, Ministria e Infrastrukturës ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për asfaltimin e rrugës Babush – Tërn – Koshare – Slivovë, por e njëjta sot proceduralisht gjendet e “ngulfatur” në Organin Shqyrtues të Prokurimit”, ka shkruar Zenaj.
