Aktuale
Si erdhi deri te vdekja e 23 vjeçarit që po punonte në ndërtimtari

Ndërtimi.info merr vesh se deri te vdekja e 23 vjeçarit Milor Belegut që ishte duke punuar në fshatin Kashicë të Komunës së Istogut, erdhi pasi ai ishte rrëzuar nga skelet deri sa po punonte në ndërtimtari në një punishte në Pejë.
I ndjeri po punonte bashkë me të atin. Për rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, ku përmes një komunikate për medie tregojnë se 23 vjeçari ishte dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës një ditë pasi ai kishte marrë lëndimet.
“Policia e Kosovës përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, më datë 26.08.2018 rreth orës 22:00 nga QKUK –Prishtinë ka pranuar njoftimin se ne repartin intenziv ka ndërruar jetë viktima M.B.(1994) M-K / Shqiptar i cili ishte i hospitalizuar me datë 20.08.2018,pasi që i njëjti duke punuar në ndërtimtari ishte rrezuar dhe kishte marre lëndime te renda trupore me date 19.08 2018 në fshatin Kashicë Komuna Istog”, thuhet në komunikatën e policisë.
Lidhur me këtë është informua prokurori i shtetit i cili urdhëron që të intervistohen familjarët rreth ndonjë dyshimi të mundshëm në rast.
Rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes”. Hetuesit policor kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit dhe trupi ju lirohet familjarëve. Rasti mbetet nën hetim.
Rastet e vdekjes në vendin e punës veç po rriten, ani pse Inspektorati i Punës dhe Ministritë përkatëse për këtë po deklarojnë që do të marrin masa për inspektimet në vendpunishte. Mirëpo sipas tyre numri i vogël tyre numri i vogël inspektorëve po e pamundëson një inspektim të tillë.
Vetëm brenda 8 muajve, pra nga janari i këtij viti (2018) deri më sot, vendi i punës mori jetën e 13 personave. Ndërsa, mbi 830 janë lënduar, kështu bëri të ditur për Ndërtimi.info kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Punëtorëve, Jusuf Azemi.
“Ky fatkeqësisht është personi i 13 që ka humbur jetën që nga janari. Për të lënduar nuk ka shifra të caktuara sepse tejkalon shifrën mbi 830”, tregoi Azemi për Ndërtimi.info
E miku i të ndjerit nëpërmjet një postimi në rrjetin social ka shkruar vdekja e shokit të tij ishte e trishtueshme dhe se vdekja i erdhi duke e fituar ndershëm bukën e gojës.
“E pabesueshme, e dhimshme dhe trishtuese lajmi per vdekjen tende Milor Belegu ku vdekja jote ne mosh te re erdh si pasoj e luftes tende per fitu ndershem buken e gojes ne kete vend te brisht ku per ta fitu ndershem buken e gojes duhet ta rrezikohesh edhe jeten ne vendin e punes. Ngushllime miku im e krahu i djath ne klubin Besa ne futsal Afrim Belegu per vdekjen e hershme te birit, inshalla Allahu i Madherishem e ka dergu ne xhehnet”, ka shkruar Adnan Hyseni.
Rikujtojmë se në fund të qershorit të këtij viti në vend të punës ka humbur jetë edhe 17 vjeçari Selledin Alija, nga Lubizhda e Prizrenit. I cili poashtu punonte për të siguruar bukën për familjen e tij që po jetonte në kushte të rënda sociale.
Rast ky për të cilin Policia e Kosovës ende nuk e ka përpiluar asnjë kallëzim penal për rastin e vdekjes së tij.
Ani pse Inspektorati i Punës tashmë ka dorëzuar raportin zyrtar nga hetimet e bëra e në të cilin konstaton se ka pasur shkelje të Ligjit të Punës me rastin e punësimit të Aliut, si i mitur, në kompaninë e stiroporit.
Kurse, në viti 2017-të, sipas Inspektoratit të Punës, 7 punëtorë të ndërtimtarisë kanë gjetur vdekjen në vendin e tyre të punës, e 30 të tjerë janë lënduar nga aksidentet gjatë procesit të punës.
Mirëpo, të dhëna tjera kishte Sindikata e Pavarur e punëtorëve të sektorit privat.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi pati bërë të dikur për Ndërtimi.info se gjatë viti 2017 janë shënuar 8 vdekje të punëtorëve të ndërtimtarisë gjatë punës.
