Aktuale
Kompleksi i panoramës së Prizrenit

Turistë vendorë e të huaj “kurdisen” mbi Urën e Vjetër të Gurit për të marrë një fotografi që do t’u mbetej kujtim nga vizita në qytetin historik të Prizrenit.
Sigurohen që të mos ia zënë pamjen edhe Kalasë, së restauruar rishtas, e cila patjetër se duhet të jetë pjesë e imazhit. Por të gjithë ata që do të shohin nga Ura e Gurit drejt Kalasë si zemër në majë të kodrës, nuk mund të mos lëshojnë shikimin edhe përgjatë shtëpive monumentale që shtrihen përgjatë terrenit të pjerrët. Rrëzë shpatit të malit që njihet si Cylen, në jug të qytetit, shtrihet kompleksi i Nënkalasë, Pantelisë dhe i Potokmahallës. Është në kuadër të zonës së Qendrës Historike të Prizrenit.
Në fakt Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, mbi të cilën bie barra e ruajtjes dhe e promovimit të trashëgimisë kulturore të Prizrenit, i ka theksuar kufijtë e këtij kompleksi. Thonë se kompleksi përfshin pjesën jugperëndimore të Kalasë, Shatërvanin dhe Papas-çarshinë, deri në Bylbyldere. Nënkalaja gjendet në pjesën jugperëndimore të Kalasë, ndërkaq Pantelija dhe Potok Mahalla në pjesën perëndimore të Nënkalasë.
Arkitektura tradicionale
Në një raport për këtë kompleks, QRTK-ja merret fillimisht me etimologjinë e emrit të saj. Shkruan se zona e Nënkalasë e mori këtë emër në bazë të pozitës së shtrirjes rrëzë Kalasë së qytetit, Pantelija emrin e mori nga kisha e Shën Pantelemonit, e cila gjendet në këtë pjesë, kurse lagjja e Potokmahallës njihet si lagja ku kalonte përroi i ujit.
