Featured
Vetëm një aktakuzë nga 70 dosjet që VV-ja kishte dërguar në Prokurori për udhëheqjen e Mustafës
Shumë bujë ishte bërë në fillim të qeverisjes së Shpend Ahmetit për 70 dosjet që tha se i dërguan në Prokurori për qeverisjen e Isa Mustafës.
Së fundmi ato u bën shkas edhe për prishjen e marrëdhënieve të LDK-së e Vetëvendosjes, raporton KTV.
Por, për ish-kryetarin e Prishtinës nuk ka pasur asnjëherë kallëzim penal dhe asnjë hetim. Këtë, për KTV-në, e ka konfirmuar Prokuroria e Shtetit.
Nga 70 dosje, vetëm një rast rezultoi me aktakuzë – ai ndaj kryeinspektorit Ismet Haliti dhe 9 zyrtarëve tjerë, inspektorë e punonjës të Komunës.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, gjatë vitit 2014, ka hetuar rastet e ndërtimeve pa leje në Komunën e Prishtinës, prej të cilave një numër i tyre ishte pranuar nga Komuna e Prishtinës dhe një numër tjetër nga Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Policia e Kosovës. Si rezultat, në vitin 2015, është ngritur aktakuzë për 36 objekte banesore kolektive dhe afariste, të ndërtuara pa leje ndërtimi apo në kundërshtim me lejen e ndërtimit, kundër 10 ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Shtetit.
Ky rast është ende duke u gjykuar.
Këto dosje janë përmendur vazhdimisht jo vetëm nga udhëheqësit e Komunës së Prishtinës por edhe nga zyrtarë të Vetëvendosjes.
Kohavisioni ka kërkuar sqarime nga komuna tash e 5 ditë për detaje se çfarë raste ishin dërguar në Prokurori dhe gjithashtu një përgjigje nga kryetari, Shpend Ahmeti por ata nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.
Isa Mustafa ka humbur mandatin e kryetarit të Prishtinës në garën e 2013-ës, kur pozitën e të parit të kryeqytetit e fitoi Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes.