Featured
Gjirokastra, qyteti i një mijë shkallëve, që po ‘vdes’ dita-ditës

Njihet ndryshe si “qyteti i një mijë shkallëve”, ndërkohë, kujtojmë se në vitin 1961 është shpallur “qytet muze”. Fatkeqësisht, shpresa për mosvenitjen e qytetit të gurtë u pasua në vijim ndër vite nga mungesa e veprimit, dalëngadalë u shndërrua në një zhgënjim total. Kështu, “qyteti më i çuditshëm në botë” rrezikon të humbasë! Deformimet në ‘qendrën historike’ dita-ditës kanë marrë përmasa dramatike.
Fillimisht, bazuar në raportin mbi Gjendjen e Konservimit (UNESCO 2009), mbrojtja ndaj zjarrit ishte e dobët, për shkak të vështirësive që zjarrëfikësit hasnin në terren. Së dyti, reagimi ndaj ndërtimeve të paligjshme, që kanë zaptuar qendrën historike të qytetit, vazhdon të jetë inekzistent.
Pikërisht këtu shënon kthesën e fuqishme të rënies qyteti i Gjirokastrës!
Por nuk ka asnjë fakt që flet më shumë sesa fotot e mëposhtme (për të cilat ka hedhur alarmin edhe deputeti i PD-së, Tritan Shehu përmes një statusi në rrjetin social Facebook), që shpalosin në mënyrën më të dhimbshme degradimin e thellë që po pëson Gjirokastra.
Ura e Hoshtevës siç duket edhe në foto është shembur, ndërsa ura e Kordhocës po shkon drejt po atij fundi…në këto momente që po flasim, ajo “lëngon” për shkak të mospërforcimit të elementeve mbajtës në themele!
Por, sot, ka një lajm të mirë për Gjirokastrën!
Siç dihet, një monument me tepër vlerë është Kalaja e Gjirokastrës e cila ndër vite ka patur problematika të shumta për shkak të mungesës së projekteve. Për zgjidhjen e këtyre problematikave, institucionet përkatëse dhe ministria e Kulturës kanë ngritur një grup pune, të përbërë nga ekspertët ndërinstitucionalë, me qëllim vlerësimin dhe marrjen e masave të nevojshme mbi situatën emergjente në Kalanë e Gjirokastrës.
Projekti mbi të cilin po punohet nga ekspertët, do të mund të sigurojë qëndrueshmërinë e strukturës së terrenit mbi të cilin ngrihet Kalaja e Gjirokastrës si dhe qëndrueshmërinë e strukturës së objektit, duke ruajtur vlerat monumentale e kulturore të tij, shkruan atsh.
Projekti multidisiplinat do të përfshijë studimin gjeologjik dhe inxhinerik, studimin sizmologjik, studimin mjedisor, studimin inxhinierik të strukturës së monumentit dhe studimin arkitektonik për restaurimin e monumentit.
Puna do të nisë menjëherë me fazën e parë, në të cilën të gjithë grupet e punës, pas një studimi të situatës në terren do të mund të prezantojnë termat e referencës, për të vijuar më tej me fazat e tjera.
Aktualisht në Gjirokastër, ekspertët anglezë nga “ArupGroup”, janë duke realizuar një studim të situatës të cilët shumë shpejt do të publikojnë rezultatet përkatëse.
Më në fund, pakëz dritë në fund të tunelit…
