Aktuale
Që tri vite neglizhohen punimet për platonë e “Kurrizit”, Komuna thotë që do të rregullohet

Platoja e “Kurrizit” në lagjen Dardania, ka që tri vite që është në proces të rinovimit, por ende nuk ka përfunduar tërësisht. Gazeta Express ka biseduar me zëdhënësin e Komunës së Prishtinës, Adonis Tahirin, i cili ka thënë se kjo e fundit e ka ndërprerë kontratën me kompaninë e kontraktuar për rinovimin e platosë, pasi ata nuk e kanë kryer me kohë punën e tyre. Ndërsa pronarët e lokaleve mbi plato, kanë thënë për Express se nuk janë të kënaqur me punën dhe mirëmbajtjen e platosë.
Ka nisur që nga viti 2015, mirëpo rinovimi i platosë së “Kurrizit” në Lagjen Dardania në Prishtinë nuk ka përfunduar ende. Komuna e Prishtinës e ka ndërprerë kontratën me kompaninë e kontraktuar për kryerjen e punimeve të platosë, këtë e ka konfirmuar për Express, zëdhënësi i komunës, Adonis Tahiri, i cili ka thënë se janë në pritje të procedurave të mëtejme.
“Kemi kërkuar ndërprerje të kontratës nga prokurimi, dhe po i presim procedurat. Shumica e punimeve kanë përfunduar. Kanë mbetur vetëm disa detaje. Tani presim nga prokurimi se si do të procedohet tutje në mënyrë që ato pak punime që kane mbetur pa perfunduar, të përfundojnë sa më parë”, ka thënë Tahiri.
Express ka provuar të kontaktojë kompaninë “Rexha”, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur në thirrjet e redaksisë.
Ndërsa pronarët e disa lokaleve që ndodhen mbi plato, kanë thënë se nuk janë të kënaqur me punën e kompanisë së kontraktuar dhe as me mirëmbajtjen e platosë, pasi mbeturinat hiqen rrallë herë nga kompania e pastrimit të platosë.
“Unë çdo ditë jam këtu, një herë apo dy në muaj i shoh duke e pastru, mirëpo kjo nuk mjafton sepse siç po e shihni edhe vetë, vendi ku kanë me u ndërtu fontanat është plot me mbeturina”, ka thënë për Express S.SH. pronare e një lokali.
